Qytetarët e Mitrovicës ka ditë që janë ftuar për të marrë sot pjesë në protestën paqësore që kundërshton ngritjen e shtatores së “Car Lazarit” në veri të vendit, si dhe ndërtimin e lagjes serbe “Lugina e Diellit”. Por, shumë pak qytetarë i janë përgjigjur kësaj ftese.

Siç raporton reporterja e Telegrafit nga vendi i ngjarjes, as 30 persona nuk marrin pjesë në këtë protestë tek Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Ardion Gashi, organizator i protestës, shprehet i pakënaqur me pjesëmarrjen, ndërsa për këtë fajin ia lë të parit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në protestë ishte dalë Fazli Çabra, qytetar i Mitrovicës, që thotë se si 14-vjeçar është torturuar nga forcat policore serbe. Ndërkaq, Skender Hajrizi, që jeton në Suedi , thotë se fajet për këtë gjendje i ka Qeveria.

“Nuk e di pse nuk janë më shumë protestues. Ata po flenë, janë agjërueshëm”, thotë ai për Telegrafin.

Xhafer Berisha shprehet se është kundër ndërtimin të pallateve në tokat shqiptare, ndërsa kritikon klasën politike.

“E, Agim Bahtiri del e thërret popullin që mos të dalin në protesta. Ky është turp. Edhe qytetarët që po rrinë në kafe, turpi le t’ju mbetet atyre”, shprehet ai.