Doktoron Kamishi, titullin ia dedikon UÇK-së

Fizioterapia e Kosovës sot është bërë me tre doktorët e parë shkencor, pasi në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Universitetin Mjekësor të Tiranës, temat e Doktoratës i mbrojtën Bekim Haxhiu, Zheralldin Durguti dhe Eqrem Gara.

Këtë e bëri të ditur deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ishte njëri nga tre doktorantët, të cilët tash e tutje do ta begatojnë mjekësinë kosovare.

Haxhiu, i cili është edhe nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, tha se këtë titull shkencor ia ka dedikuar babait të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij të rënë në vijat e frontit nën emblemën e UÇK-së. Ja postimi i plotë i Bekim Haxhiut në facebook:

Sot, në Universitetin Mjekësor të Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Mjekësore mbrojta Temën e Doktoratës: FAKTORËT E RREZIKUT NË SPORT DHE REHABILITIMI I LËNDIMEVE SPORTIVE.

Gjithashtu, sot mbrojtën temat e tyre të doktoratës edhe dy kolegët Zheralldin Durguti dhe Eqrem Gara të cilët i uroj për suksesin.

Fizioterapia si degë e re hapur në Kosovë, gradualisht po ngritet falë bashkëpunimit me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike në Tiranë.

Falë përkrahjes së madhe të profesorit të nderuar Petrit Bara, sot Fizioterapia e Kosovës ka tre doktorët parë shkencorë.

Me këtë rast dua të falënderoj Prof. Petrit Bara dhe udhëheqësin tim shkencor Prof. Genc Burazerin për përkrahjen, këshillat dhe sugjerimet që mi ka bërë gjatë gjithë fazës së punimit të temës së doktoratës.

Në veçanti dua të falënderoj Prof. Petrit Bara që më dha mundësinë të realizoj atë që dikur në fëmijëri e kisha ëndërr, studimin në Universitetin e Tiranës.

Falënderoj stafin e Klinikës së Terapisë Fizikale me Rehabilitim në veçanti Prof. Dr Hajrie Hundozi-Hyseni për përkrahje të dobishme gjatë përgatitjes së temës së doktoratës, si dhe ordinancën e Rehabilitimi me stafin e saj me kolegun e nderuar Ismet Shalaj.

Falënderoj Qendrën e Mjekësisë Sportive me Rekreacion të cilët gjatë gjithë kohës më kanë ndihmuar duke më ofruar dokumentacionin relevant.

Falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës që më dha mundësinë e hulumtimit për realizimin e këtij studimi, në veçanti falënderoj futbollistët të cilët ishin pjesë e këtij projekti.

Falënderim i veçantë për familjen time, shokët dhe miqtë që më përkrahen dhe më mbështeten në punën time.

Këtë titull shkencor ia dedikoi Sylë Haxhiut, babës tim të ndjerë i cili me edukoi se me nderë, përkushtim, me punë dhe vetëm me punë, mund të arrihen qëllimet në jetë.

Në veçanti këtë titull shkencor ia dedikoi shokëve të mi luftës të rënë në vijat e frontit nën emblemën e UÇK-së, sepse pa luftën heroike të UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptarë kjo ëndërr e imja nuk do realizohej dhe bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe Tiranës nuk do të ishte i mundur.