Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi – ja çfarë thuhet aty! (Dokument)

Me 25 gusht 2015 Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar në Vjenë marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes këtyre dy shteteve.

Marrëveshja ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.

Presidenti Hashim Thaçi, atë kohë ministër i Punëve të Jashtme pati thënë se marrëveshja është në “përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Martti Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike”.

Thuajse 1 vit pas kjo marrëveshje ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës, ndërsa procesi i përcaktimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ka nxitur shumë debate në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Sipas partive opozitare Kosova nga ky proces ka humbur rreth 12 mijë hektarë tokë, ndërsa qeveria është e bindur se nuk humbë asnjë metër katrorë.

Por ja çfarë përmban marrëveshja për Demarkacionin:

Klan Kosova ka siguruar draft-marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi i cili përmban 12 nene të cilat e rregullojnë çështjen e kufirit të këtyre dy shteteve.

Në hyrje të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Malit të Zi dhe Kosovës thuhet se kjo ujdi arrihet “Duke e dëshiruar zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të mira miqësore dhe fqinjësore”.

Më tutje thuhet se bazuar në këtë marrëveshje shtetet duhet të përmbushin disa obligime dhe se zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet bërë me mjete paqësore, pa kërcënime ose pa përdorim të forcës.

hyrje1

“Të udhëhequr nga dëshira për të përmbushur me ndërgjegje obligimet e tyre të pranuara sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, sidomos duke pasur parasysh respektimin e parimit të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë politike, dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mjete paqësore, pa kërcënime ose pa përdorim të forcës”.

Në nenin e dytë të kësaj marrëveshjeje tregohen dokumentet mbi të cilat janë caktuar pikat e kufirit.

“Kufiri shtetëror në mes palëve shtrihet nga pika e tre kufijve me koordinata Y=7447537,16 dhe X=4743430,07, Mali i Zi, Republika e Kosovës e Serbisë në pjesën veriore, deri te pika e tre kufijve e Malit të Zi, Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë, në anën jugore me koordinata Y=7424584,69 dhe X=4712809,49. Koordinatat janë në sistemin koordinatë “GAUSS KRUGER”.

“Të dhënat mbi shtrirjen e kufirit shtetëror, janë të përfshira në dokumentet vijuese kufitare të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshjeje:

-Harta topografike në shkallën 1:25000 me vijën kufitare dhe koordinatat e pikave kthyese;

-Përshkrimi tekstual të shtrirjes së kufirit shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës; në rast të mospajtimit të përshkrimit tekstual të kufijve shtetëror dhe hartave topografike mbizotëron përshkrimi tekstual i kufirit shtetëror”.

neni2llogo

Në nenin e tretë janë arsyet që shpjegojnë pse kjo marrëveshje duhet të mbetet e pandryshuar.

“Palët janë të pajtimit që pozita e kufirit shtetëror, e përcaktuar në datën e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, mbetet e pandryshuar pavarësisht nga ndryshimet që mund të ndodhin në përrenjtë në terren, për shkak të shkaqeve natyrore ose artificiale”.

“Çdo ndryshim artificial i kufirit shtetëror ekskluzivisht i nënshtrohet marrëveshjes paraprake të palëve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

“Palët sigurojnë që të gjitha punimet e mundshme hidroteknike në lumenjtë kufitarë dhe përrenjtë, të cilët mund të kenë ndikim në ndryshimin e rrjedhës së ujit, do të kryhen vetëm me marrëveshje të ndërsjellë. Për të shmangur erozionin dhe ndryshimet e shtretërve të lumenjve dhe shtretërve të përrenjve përgjatë vijës së përbashkët kufitare, palët janë pajtuar që ata nuk do të bëjnë prerjen e drunjve, shkurreve dhe malit në sektorët për të cilat janë përgjegjës”.

33logo

Në nenin e gjashtë kjo marrëveshje shpjegon detyrat e komisioneve shtetërore të të dy shteteve.

“Komisionet shtetërore të kufijve të palëve nxjerrin Udhëzimin e përbashkët për shënjimin e kufirit shtetëror, për mirëmbajtjen e vijës kufitare, të shenjave kufitare dhe të brezit kufitar”.

6llogo

Në nenin e nëntë thuhet se “Mosmarrëveshjet eventuale lidhur me interpretimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje zgjidhen nga qeveritë e palëve, në rrugën diplomatike”.

9llogo

Ndërsa në nenin 12-të dhe atë të fundit të kësaj marrëveshjeje thuhet se “Kjo marrëveshje i nënshtrohet ratifikimit dhe hyn në fuqi pas shkëmbimit të njoftimeve të fundi me shkrim, nëpërmjet rrugëve diplomatike, me të cilën palët njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore për hyrjen e saj në fuqi”.

12llogo

Pse është i rëndësishëm Demarkacioni për Kosovën?

Çështja e Demarkacionit është njëra ndër dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian.

Procesi i votimit për lëvizje të lirë është shtyer për në shtator, vetëm pse Marrëveshja për Demarkacionin nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Por janë liderët shtetëror që kanë premtuar se kjo çështje do të shkoj shumë shpejtë në Kuvend pas votimit të djeshëm nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, të cilët kanë aprovuar rekomandimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Ndërsa sot zyrtarë nga Mali i Zi kanë thënë se janë të gatshëm që çështja e Demarkacionit të rinegociohej edhe njëherë, ani pse do të prodhonte rezultate të njëjta.

“Por se për këtë çështje që po kërkohet sidomos nga opozita kosovare, Podgorica zyrtare nuk sheh ndonjë qëllim direkt, dhe se kjo do të jetë në fund të fundit humbje e kohës dhe energjisë që do kishte rezultatin e njëjtë”, ka thënë, të premten në Prishtinë, ish-shefi i diplomacisë malazeze, Milorad Vlahovic.

Demarkacioni me Malin e Zi