Letër Publike e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, dërguar institucioneve të vendit rreth problemit me qentë endacakë

 

Javëve të fundit dhe posaçërisht ditëve të fundit, numri i qenve endacakë është shtuar dukshëm dhe ka arritur nivele alarmante. Kemi dhjetëra thirrje në ditë nga qytetarët që po lajmërojnë incidente çdo orë, ku mezi kanë shpëtuar nga sulmet.

Komuna e Prishtinës ka të kontraktuar një kompani për sterilizimin dhe kastrimin e qenve, mirëpo këto kapacitete nuk po mjaftojnë. Kemi ngritur shkallën e gatishmërisë në nivel të Komunës së Prishtinës dhe kemi shtuar fondet në komunë por as kjo nuk po mjafton.

Jemi të detyruar të kërkojmë ndihmën e institucioneve qendrore para se të ndodhë ndonjë tragjedi. Kërkojmë ndihmë nga Qeveria, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, UP – dega e veterinarisë si dhe KFOR-i për tu ballafaquar me këtë problem.

Organizimi i një takimi të menjëhershem për koordinim të institucioneve është i domosdoshëm.

Falemnderit,