Ministri Murati vazhdon takimet me komunitetet fetare

Prishtinë, 11 korrik – Në vazhdën e takimeve që ministri Murati po realizon në kuadër të fushatës së regjistrimit “Ti je pjesë e atdheut” dhe takimit me komunitetet fetare të Kosovës, sot u takua me Ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergji.

Në këtë takim me imzot dom Gjergjin, ashtu si edhe me myftiun Naim Tërnava më herët, u diskutuan dy çështje: procesi i regjistrimit dhe funksionimi i shkollës shqipe në diasporë.

Ministri Murati në bashkëbisedim me imzot Dodë Gjergjin shtroi nevojën që mesazhi i regjistrimit të bashkatdhetarëve gjatë qëndrimit në atdhe të përcillet edhe përmes Ipeshkvisë së Kosovës dhe mekanizmave të saj; t’u qartësohet se regjistrimi është interes kombëtar, është në të mirën e tyre, në mënyrë që të krijohen politika më të mira shtetërore për diasporën.

Po ashtu,  u diskutua  që t’u bëhet thirrje bashkatdhetarëve që sa më shumë t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, sepse përmes saj ruhet edhe identiteti kombëtar e kulturor.

Ministri Murati e njoftoi ipeshkvin  Gjergji edhe për aktivitetet që Ministria e Diasporës do t’i bëjë këtë verë për bashkatdhetarët, për punën që po bëhet për hartimin e një kurrikule të përbashkët Kosovë-Shqipëri për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë etj.

Ndërkaq, Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji,  e njoftoi ministrin Murati për misionet që i kanë në Evropë, për rolin e rëndësinë e tyre, por edhe për kontributin që japin për mësimin e gjuhës shqipe.

Ai theksoi se si në Kosovë, ashtu edhe në vendet ku i kanë misionet, përmes priftërinjve  do të shpërndahet informacioni –porosia  për regjistrim të bashkatdhetarëve, por edhe për  vijimin e fëmijëve të diasporës në shkollën shqipe.

Ipshkvi i Kosovës theksoi se shqiptarët në diasporë duhet të lidhen kulturalisht me njëri-tjetrin, të mos ndahen fetarisht, por të bashkohen  rreth vlerave kombëtare e traditave, përmes aktiviteteve kulturore e shkollës shqipe.

Në fund të takimit,  ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, tha se misionet e tyre do të jenë në dispozicion për bashkëpunim me MeD-në dhe  do ta kenë përkrahjen e tyre.