Russell: Merruni me probleme reale të qytetarëve

Shefi i UNDP-së për Kosovë, Andrew Russell, numëron ngecjet e Kosovës dhe besimin e humbur të qytetarëve në mënyrën sesi shpenzohet paraja publike dhe si funksionon prokurimi publik. Ai thotë se mungon transparenca dhe se Qeveria nuk po merret sa duhet me papunësinë

Papunësia, mungesa e rritjes ekonomike e varfëria thellohen nga korrupsioni, dhe me këto probleme duhet të ballafaqoheni dhe jo të strukeni larg tyre. Ndërsa me politikë të drejtë publike, transparencë dhe zbatim të ligjit, atëherë do të vërehen ndryshimet. Kështu vjen edhe një kritikë nga ndërkombëtari në krye të agjencisë së OKB-së në Kosovë, UNDP, Andrew Russell.

Në një intervistë për gazetën “Zëri”, ai numëron ngecjet e Kosovës në nivel lokal dhe qendror, duke përmendur edhe prioritete që duhet t’i ketë Qeveria e Kosovës. Ai ka bërë të ditur të gjeturat e raportit “Mozaik” nga i cili mësohet se qytetarët kanë humbur edhe më shumë besimin në mënyrën sesi shpenzohet paraja publike dhe si funksionon prokurimi publik. Russell është i bindur se besimi në institucione kthehet kur të rritet transparenca. Sa i përket papunësisë, kreu i UNDP-së kritikon Qeverinë të mos jetë duke punuar sa duhet.

“Ndoshta për një arsye ose jo, ndoshta thjesht nuk ka qenë mjaft efektiv komunikimi me qytetarët se çfarë është duke u punuar, ku janë shpenzuar paratë tuaja, çfarë është blerë, kush është rekrutuar etj.”, ka thënë Russell. Ai bën të qartë se OKB-ja është e përfshirë në Kosovë, por edhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) është përqendruar në tri fusha kryesore: sundimi i ligjit dhe qeverisja e duhur, mundësitë e punësimit dhe mundësitë arsimore për të rinjtë.