Hoti: Gjermania është një ndër donatorët më të rëndësishëm të Kosovës

Ministri i Financave Avdullah Hoti po qëndron për vizitë zyrtarë në Berlin të Gjermanisë, me ftesë të ministrit të Financave të Republikës Federale të Gjermanisë Wolfgang Schäuble, transmeton Gazeta Express.

Gjatë kësaj vizitë Ministri Hoti dhe homologu i tij Wolfgang Schäuble, kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale financiare ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë për Marrëveshjen Kornizë për Bashkëpunim teknik financiar 2016 – 2017, e cila Marrëveshje Kornizë pritet të nënshkruhet  nga të dy Qeveritë gjatë vjeshtës së këtij viti. Me këtë marrëveshje parashihet bashkëpunimi dhe financimi i projekteve të ndryshme në fusha prioritare, si në: Infrastrukturë publike (ujëra dhe energji), zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin e punësimit, demokraci, shoqëri civile dhe administratë publike, si dhe edukim.

Në këtë takim u diskutua edhe për Inicimin e marrëveshjes për eliminimin e Tatimit të Dyfishtë ndërmjet dy vendeve, si dhe për idenë e krijimit të një mini-berze.

Ministri Avdullah Hoti duke falënderuar lartë mikpritjen e homologut të tij Schäuble, tha se shteti gjerman është një ndër donatorët dhe bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, të cilët ndër vite kanë mbështetur Qeverinë e Republikës së Kosovës në projekte të ndryshme për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble duke vlerësuar lartë bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, tha se Gjermania e konsideron Kosovën si njërin nga vendet më të rëndësishme për bashkëpunim dhe shprehi gatishmërinë e shtetit të tij për të vazhduar këtë bashkëpunim edhe më tej. /GazetaExpress/.