Lopët e dyshimta

Lopët ecin shlirë nëpër “oborrin” e ish kryetarit të Kamenicës, Shaip Surdulli. Rruga që të shpije nga Karaçeva, fshati i ish të parit të kësaj komune, për në Breznicë, në territorin e Serbisë, është arteria kryesore e kontrabandës me kafshë.

Policia e dogana vetëm vëzhgojnë nga larg derisa kafshët e dyshimta kalojnë rrugëve dytësore nën  përcjelljen e kontrabandistëve.

Kështu thotë Surdulli, i cili i akuzon këto dy institucione për mosefikasitet.

Madje ai bën të ditur një fakt shqetësues si dëshmitar i kësaj situate.

“Cilësia e mishit prej këtyre kafshëve është e dyshimtë sepse i ushqejnë në lloj lloj mënyra kafshët. Ju qesin edhe pleh artificial për me u fry”, thotë Surdulli për Gazetën Fjala.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit numri i  kafshëve të kontrabanduara nga Serbia, nuk ka të ndalur. Madje ky numër nga viti në vit vetëm ka shënuar rritje.

Vetëm gjatë vitit 2014 janë kapur  40 kafshë të kontrabanduara, derisa gjatë vitit që lam pas ky numër është rritur në 47, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkaq, vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë ndalur të kontrabanduara 52 kafshë, të cilat janë të vendosura në stallën e burgut të Dubravës.

Bashkë me rritjen e kontrabandës me kafshë, po rriten edhe dyshimet e qytetarëve për mishin që ata e konsumojnë.

Gazeta Fjala, javën e kaluar ka raportuar për cilësinë e dyshimt të mishit që quan në mbylljen e fabrikës së mishit “Apeti”.

Kontrabandimet nga shteti serb  janë të rrezikshme

Se cilësia e mishit të kontrabanduar nga shteti serb, nuk është e besueshme mendon edhe kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaqaniku.

Kaqaniku thotë se kontrabandimet ndodhin përshkak të nevojës së Kosovës për import, e çmimeve të larta në tregun e brendshëm.

“Probemi qëndron edhe te arsyet tjera se përveç kontrabandimit futet edhe mish i dyshimtë dhe ai i matrikuluar është i dyshimtë për shkak të sëmundjeve që mund të bartin kafshët”, ka thënë për Gazetën Fjala ai.

Kaqaniku, vlerëson se jo vetëm  kontrabandimet nga shteti serb  janë të rrezikshme, të tilla i ka cilësuar të gjitha shtetet tjera nga të cilat importohen kafshët për shkak të sëmundjeve që mund të bartin, e të kontaminojnë kafshët tjera.

“Kjo është problem se Kosova përkundër masave që ka marrë nuk ka marrë masat e duhura dhe fakti i ndalimit të importit të kafshëve thuhet se Kosova është eksportues i mundshëm i kësaj sëmundje.  Ne nuk e kemi bërë asnjë hap për ndalimin e tyre. Me këtë vorbull telashesh ne kemi qenë të papërgatitur”, ka deklaruar ai. Mirëpo, Serbia nuk duket të jetë vendi i vetëm fqinjë, prej të cilit importohen kafshët pavarësisht se është vendi nga i cili bëhen kontrabandimet më të mëdha me kafshë.

Kafshë kontrabandë, hyjnë edhe nga Maqedonia. Gazeta Fjala mëson se vetëm gjatë këtij viti janë kapur duke u kontrabanduar dy kafshë, nga ky shtet.

Të kontaktuar nga Gazeta Fjala, zyrtarë për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), kanë treguar se deri tani janë 21 raste të dyshimit në kontrabandë dhe ndalimit të kafshëve pa dokumentacion.

“Nga Janari 2016 deri me tani janë  21 raste të dyshimit në kontrabandë apo edhe  ndalimit të kafshëve pa dokumentacion përkatës për transport. Si raste më së shumti ka kontrabandë nga shteti i Serbisë ndërsa për nga lloji i kafshëve më së shumti ka raste të kontrabanimit te gjedheve, thotë për Gazetën Fjala, Lamir Thaqi, zyrtar për informim në AUV.

52 lopë në burgun e Dubravës

Lopët të cilat zihen pa dokumentacion përkatës nga Policia e Kosovës, vendosen në stallën e burgut të Dubravës.

Sipas AUV-it,  deri tani janë të vendosura 52 gjedhe në burgun e Dubravës.

“Në rastet ku janë vërtetuar se kafshët janë të konrabanduara me urdhëresë të prokurorit të rastit, janë 52 gjedhe të gjitha janë vendosur në stallë të burgut të Dubravës nga ana e policisë së Kosovës “, thotë Thaqi.

Ai tregon se kompetencë e AUV-it, është vetëm gjendja shëndetësore e kafshëve, derisa ka treguar se tani e tutje kafshët e dyshuara do të dërgohen në fermat në brendësi të perimetrit të burgut të Dubravës.

Gazeta Fjala, ka kontaktuar edhe me zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, për këtë çështje, mirëpo ata nuk kanë pranuar të flasin duke ia kaluar Doganës kompetencat. Njësoj ka vepruar edhe kjo e fundit. /GazetaFjala/