Tahiri: S’e kemi ndërmend të lëvizim nga kushtëzimi për vazhdim të dialogut me Serbinë

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se Bashkimi Evropian (BE) ia ka shtuar presionin Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet që janë arritur në dialogun e Brukselit.

Ajo ka deklaruar se kjo është vërejtur gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ministrja Tahiri ka treguar se në këtë samit vetë kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar nga delegacioni i Serbisë t’i zbatojë obligimet e marra në procesin e dialogut. “Sa iu takon lëvizjeve nga ana e palës serbe, deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje, por ka pasur një diplomaci më të shtuar nga BE-ja, por edhe nga Gjermania në drejtim të Serbisë, në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris, me ç’rast delegacionit të Serbisë i është bërë presion se duhet t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë në pritje”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka shtuar se Kosova nuk e ka ndërmend të lëvizë nga kushtëzimi i saj për vazhdim të dialogut me Serbinë. “Kosova e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se Serbia ta heqë bllokadën për kodin telefonik për Kosovën dhe funksionimin e pavarur të KOSTT-it, si dhe para se të largohet barrikada nga ura e Ibrit në Mitrovicë”, është shprehur Tahiri. Sipas saj, Serbia do të detyrohet nga BE-ja për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura. “Në fakt, presioni dhe kushti kryesor që BE-ja ia ka vënë Serbisë është kapitulli i 35, ku në mënyrë të qartë janë cekur të gjitha obligimet e Serbisë të pazbatuar, të cilat duhet t’i zbatojë. Pra, ky kapitull kushtëzon Serbinë në rrugën e saj evropiane me zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve me Kosovën”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ajo ka vlerësuar se, duke e parë bllokadën e Serbisë në këto çështje, Qeveria e Kosovës ka rritur angazhimet e saj diplomatike për ta zhbllokuar procesin. “Në këtë fazë kemi një bllokadë dhe ne si Qeveri e Kosovës vazhdimisht po punojmë edhe në planin diplomatik me BE-në dhe me Qeverinë Amerikane në këtë drejtim”, ka thënë Edita Tahiri, ministre për Dialog.