Deri në fund të vitit vendimi final për liberalizimin e vizave

Bruksel, 14 korrik – Zëvendësministri për Integrim Evropian z.Ramadan Ilazi po qëndron në Bruksel për një vizitë pune së bashku me delegacionin nga Kosova në përbërje të së cilit janë, shefi i kabinetit i Kryeministrit, z. Sokol Havolli, këshilltari i lartë i Ministrit  Çollaku, z. Fisnik Rexhepi dhe sekretari i Përgjithshëm në Ministrin e Integrimit Evropian z.Demush Shasha.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendësministri Ilazi, sot ka takuar zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian znj.Ulrike Lunacek njëherësh raportuese për Kosovën si dhe Eurodeputeten znj. Tanja Fajon, raportuese për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu delegacioni nga Kosova ka takuar edhe drejtorin e Përgjithshëm  të Drejtoratit për Zgjerim z.Christian Danielson si dhe ka zhvilluar takime bilaterale me zyrtarë të Qeverisë belge.

Gjatë këtyre takimeve delegacioni ka diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave, zbatimin e MSA-së si dhe dakordimin e prioriteteve kyçe të agjendës evropiane të Republikë së Kosovës që do të mundësojnë vazhdimin e reformave dhe avancimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zëvendësministri Ilazi duke prezantuar prioritetet e Kosovës, theksoj se deri në fund të këtij viti presim që të kemi vendimin final për liberalizimin e vizave, takimin e parë të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe nënshkrimin e marrëveshjes kornizë për qasje në programet e Bashkimit Evropian.

“Ne presim që Bashkimi Evropian, sikurse ka bërë deri tani, të vlerësoj pozitivisht progresin e Kosovës duke e shoqëruar me vendime meritore për liberalizimin e vizave në një të ardhme të afërt. Kosova është e përkushtuar të vazhdoj agjendën e reformave evropiane  duke e shfrytëzuar MSA-në si platformë të duhur në këtë drejtim”, deklaroi zëvendësministri Ilazi.

Gjatë ditës delegacioni do të ketë takime në Drejtoratin për Punë të Brendshme të Komisionit Evropian si dhe me Kabinetin e Komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn.