Rrahmani kërkon nga deputetët që edhe me shkelje ta votojnë tenderin 2.6 milionë euro

Marrëveshja e kredisë Kosovë- Unicredit Bank AG për blerjen e aparaturave për modernizimin e Kardiologjisë Invazive pritet të kthehet në Kuvend, shkruan sot Koha Ditore.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë për herë të tretë për këtë marrëveshje pa asnjë ndryshim në projektin, i cili ka dështuar të marrë dy herë votat e deputetëve.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për shëndetësi anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar shumë përgjigje nga ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani në lidhje me mënyrën se si është proceduar ky tender. Votimi i kësaj marrëveshje ka dështuar pasi që gazeta kishte zbuluar se çmimi i aparaturave të tenderuara është shumë me i lartë se çmimi i këtyre aparaturave në treg.

Përveç kësaj hulumtimi i gazetës kishte zbuluar se shifra 2.1 milion euro ishte rritur për 500 mijë euro pa procedurë tenderuese.Përkundër kësaj ministri Rrahmani ka vendosur që edhe herën e tretë këtë marrëveshje ta dërgojë në votim pa arsyetim të qartë se pse janë bërë këto ndryshime. Deputetët pjesëmarrës në komision i kanë “garantuar” Rrahmanit se kjo marrëveshje nuk do të kalojë përsëri për shkak se edhe këtë herë janë shkeljet e njëjta.

Komunikim i ashpër, me tone të larta e përçmuese ka qenë sidomos gjatë replikave mes ministrit Rrahmani dhe deputetëve Shaip Muja e Bekim Haxhiu. Kur Rrahmani ka folur për çështje profesionale të shëndetësisë, Haxhiu nuk e ka lënë të flas. “Me pas qenë specialist i zoti kishe punu në QKUK”, i ka thënë.