Shpendi tregon atë që ndodhi sot në Kuvendin Komunal

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë një përshkrim të gjithë asaj që ndodhi sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke e quajtur të paprecedentë e sjelljen e kryesuesit, Halim Halimi.

“Sot, gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal asambleisti i AAK, Brahim Mehmetaj propozoi që në rend të ditës të përfshihet diskutimi mbi ndërmarrjet publike në Prishtinë duke marrë parasysh gjendjen në të cilën janë. Asambleistët e LDK dhe PDK nuk pranonin as diskutim dhe duke parë që me vota nuk mund ta ndalin këtë diskutim e lëshuan seancën”, ka thënë Ahmeti.

“Por ajo që ishte e paprecedent ishte sjellja e kryesuesit Halim Halimi i cili për 20 minuta nuk lejonte votimin për ta futur këtë pikë në rend të ditës. Kur e pa që nuk mund ta ndalë e lëshoi mbledhjen dhe pamundësoi kuorumin. Kryesuesi po harron që nuk është kryesues partie por i Kuvendit Komunal”, ka thënë më tej Ahmeti, teksa ka shtuar se “me refuzimin që ta qet në votim propozimin e një asambleisti ka shkelur çdo parim të demokracisë, e me lëshimin e seances ka shkelur çdo parim institucional e politik”.