As në lokacionin e dytë në Kampusin e UP s’ka varreza masive

Dy lokacionet në të cilat është gërmuar në kërkim të gjetjes së varrezave brenda kampusit universitar të Prishtinës në afërsi të Kishës Ortodokse Serbe, nuk kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komisionit shtetëror për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj

Punimet në terren kanë zgjatur dy ditë. Kurse në lokacionin e tretë të dyshuar, prapa Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, gërmimet do të nisin ditëve në vijim, ka konfirmuar ai.

Gërmimet në kampusin e UP-së, filluan më 13 Korrik me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas mbledhjes së informacioneve nga dëshmitarët. Dyshohet për viktima të përkatësisë shqiptare që, sic thuhet, mund të jenë varrosur në brendi të kampusit në periudhën e luftës në Kosovë.

Në fillimin e gërmimeve mori pjesë edhe një delegacion i Serbisë për personat e pagjetur.