Filloi fushata e korrje-shirjeve të grurit në arat e Mitrovicës

Ka filluar fushata e korrje shirjeve, apo grumbullimi i grurit në komunën e Mitrovicës. Fillimin e korrjes së grurit po e vlerësojnë si të suksesshëm vetë bujqit e kësaj ane, megjithatë, edhe ata kanë ankesat e tyre, sidomos për çmimet e ulëta që u duhet të ofrojnë në shitje.

Bujku Shkëlzen Pllana, tha se rendimenti i grurit sivjet është i mirë dhe gjithçka është duke shkuar në rregull.

Edhe kushëriri i tij Rexhep Pllana, u shpreh se nuk është i kënaqur me çmimin e grurit sivjet. Ai tha se ka marrë me qira 20 hektarë tokë për ta punuar, mirëpo nëse ky çmim vazhdon kështu, atëherë duhet ta ndërpresë punën.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në komunën e Mitrovicës, Nasuf Aliu, i tha KosovaPress-it se komuna konform përgjegjësive që ka në raport me procesin e korrje shirjeve, ka themeluar komisionin që verifikon dhe monitoron punën e korrje shirjeve.

Përgjithësisht, ai tha se punët po shkojnë mirë dhe nuk ka ndonjë ankesë, ndërsa, brenda dy tre ditësh pritet që rreth 50 për qind e sipërfaqes totale të planifikuar për kulturën e grurit, të realizohet.

Korrje-shirjet kanë filluar edhe nëpër komunat e tjera të Kosovës.