Hoxhaj takoi ambasadorin e ri italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi

Prishtinë 20 korrik 2016 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Italisë, Piero Cristoforo Sardi.

Hoxhaj i uroi ambasadorit Sardi mirëseardhje në misionin e ri në Kosovë, duke e njoftuar për progresin, forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për proceset e tjera të rëndësishme në politikën e jashtme kosovare.

Ministri ka veçuar angazhimin e fuqishëm të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e Italisë  për Kosovën, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane.

Po ashtu, ministri Hoxhaj u informua rreth përgatitjeve të Samitit të Romës në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili do të organizohet nga Italia në vitin 2017.

Duke vlerësuar lart marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, Hoxhaj theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të shkëmbimeve me Italinë, si një ndër partnerët kryesor të Republikës së Kosovës në Evropë.