Komuna e Prishtinës, do të organizoj koncert me këngëtaren Dua Lipa

Sot, në ndërtesën e re të Komunës së Prishtinës, gjatë një konference për shtyp, Kryetari, Shpend Ahmeti, Dukagjin Lipa nga “Republika Communications” dhe Ernest Jusufi nga “Birra Peja” njoftuan se më 9 gusht, në Parkun e Gërmisë në Prishtinë do të mbahet koncerti i këngëtares Dua Lipa.

Kryetari Shpend Ahmeti, shprehi kënaqësinë e tij që Komuna e Prishtinës, do jetë ombrellë e organizimit të koncertit të Dua Lipas dhe tha se ky koncert do të jetë vetëm një fillim, pasi që nga këtu do të nisin edhe organizime tjera, të cilat do ta vendosin Prishtinën në hartat kulturore të evenimenteve të tilla.

Dukagjin Lipa, njëherësh edhe i ati i Dua Lipës tregoi se të gjitha të hyrat materiale nga ky koncert do të shkojnë në fondacionin “SannyHill”, i cili fondacion është regjistruar nën patrionatin e vetë Dua Lipas.