Mjekët përshkruajnë barna të caktuara për para

Kompanitë farmaceutike që nga paslufta kanë realizuar fushatë në drejtim të mjekëve që punojnë në spitale publike.

Këto kompani kanë gjetur forma të ndryshme, përmes të cilave i kanë joshur mjekët me kushtin që t’i përshkruajnë barnat e këtyre kompanive, shkruan sot “Koha Ditore” në serinë e shkrimeve për bashkëpunimin e mjekëve me kompanitë farmaceutike.

Dukuria e ndërtimit të raporteve të bashkëpunimit ka qenë më e theksuar tek mjekët familjarë në shërbimin parësor, për t’u shtrirë më pas tek mjekët e spitaleve rajonale apo dhe në qendrën më të madhe spitalore në vend, QKUK.

Të joshur në mënyra të ndryshme nga kompanitë farmaceutike, këta mjekë dyshohet se i orientonin pacientët duke ua përshkruar në recetë emrin tregtar të ilaçit, emrin e kompanisë prodhuese, e në disa raste edhe ngjyrën e paketimit të barit.