Mustafa thotë se AAK inicoi Rezolutën për caktim të kufijve sipas Kushtetutës së ‘74

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një postim në llogarinë e tij “Facebook” ka shkruar se ishte partia e Ramush Haradinajt ajo që sponzorizoi në Kuvend një Rezolutë me anë të së cilës u caktuan kufijtë në bazë të Kushtetutës së vitit 1974.

Madje Mustafa u sugjeron deputetëve të AAK-së ta lexojnë Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, e cila siç ka shkruar Mustafa në pjesën e parë, Dispozitat e Përgjithshme, neni 3 thotë si vijon: “Territorin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e përbëjnë territoret e komunave të tanishme”

Ky është postimi i plotë i Mustafës: 

Me sponzorizim të AAK-së, Kuvendi ka nxjerrë Rezolutë për caktimin e kufijve në bazë të Kushtetutës së vitit 1974.
Shpresoj se deputetët e AAK-së do ta kenë lexuar Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, e cila në Pjesën e parë, Dispozitat e Përgjithshme, neni 3 thotë si vijon: “Territorin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e përbëjnë territoret e komunave të tanishme”…. Pra rezulton qartë se ajo që neve kemi trashëguar sipas kësaj Kushtetute si territor të Kosovës ka qenë territori i 22 komunave, sa kishte atëherë Kosova. Në qoftë se mblidhet territori me numra të rrumbullakuar, sipas Vjetarit statistikor 1980, fq.440 rezulton se spërfaqja ishte 10908 km katror, kurse Komuna e Pejës kishte 603 km katror, sa ka edhe sot.
Si Kryeministër i Vendit dhe si Kryetar i LDK-së do të bëjë çdo gjë që të komunikoj me qytetarët e mi dhe të sqaroj çdo të dhënë me të cilën disponoj, jo vetëm si bartës i këtyre pozitave por edhe si profesor dhe akademik, për të mos lënë hapësirë që Kosova të humb asnjë metër katror nga ajo që me Deklaratën e Pavarësisë jemi zotuar për territorin e Republikës së Kosovës.