S’dihet kur do të takohen kryeministrat në Bruksel

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të zhvillohet një takim në Bruksel me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Isa Mustafa, por nuk ka bërë të ditur se çka do të zbatohet në këtë takim.

Në anën tjetër, zyrtarët e institucioneve kosovare thonë se nuk ka asgjë konkrete për një takim të tillë mes dy kryeministrave.

“Nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim”, ka thënë për gazetën “Zëri” Faton Abdullahu, këshilltar për media i kryeministrit Mustafa.

Ai ka shtuar se gjithçka që ka të bëjë me dialogun përcaktohet më herët nga Brukseli.

“Ato që kanë të bëjnë me dialogun procedohen tutje dhe përcaktohen sipas agjendës së njohur më herët për të dyja palët nga Brukseli”, ka thënë Abdullahu.

Ndërkaq, publicisti Halil Matoshi ka thënë për gazetën “Zëri” se një takim mes kryeministrash do të ishte i mirëseardhur, pasi që, siç thotë ai, liderët e shteteve fqinje gjithmonë kanë diçka të rëndësishme për të biseduar.

“E para, dy liderë të dy shteteve fqinje gjithnjë kanë për çfarë të bisedojnë, sepse dinamikat politike në demokraci kërkojnë dialog të vazhdueshëm me tjetrin/të tjerët”, ka thënë Matoshi, i cili më pas ka shtuar: “Në këtë sens kryeministri i Serbisë Vuçiq dhe ai i Kosovës Mustafa natyrisht se mund të këmbejnë mendime rreth Kapitullit 35, përkatësisht Vuciq mund t’i kërkojë kryeministrit kosovar përshpejtimin e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Marrëveshjes paraprake”, ka përfunduar Halil Matoshi.