Shaip Muja “i han” fjalët e veta, harron çka tha në vitin 2014

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja mori pjesë sot në debatin e organizuar nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës me përkrahje të Friedrich Ebert Stiftung për demarkacionin me Malin e Zi me temë “Demarkacioni i kufirit Kosovë- Mali i Zi nga perspektiva e qytetarëve malazezë të Kosovës”.

Derisa udhëheqësja e tryezës, duke prezantuar të pranishmit, tha se nuk ka ndonjë të interesuar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për të folur për marrëveshjen, i menjëhershëm ishte reagimi i Mujës, i cili tha se ai do të përfaqësoj PDK-në, transmeton Indeksonline.

“Unë jam nga PDK-ja”, tha Muja, derisa prezantuesja ia ktheu duke thënë se “Kam menduar që je i pavarur”.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2014, Muja përmes një deklarate kishte thënë se jep dorëheqje nga grupi parlamentar i PDK-së për të kaluar në deputet të pavarur në Kuvend, duke arsyetuar dorëheqjen me mospajtim me politikat zhvillimore dhe kadrovike të partisë.

Po ashtu, në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, Muja figuron sikur deputet i pavarur. Kështu me dokumente, Muja deklaron se është i pavarur, derisa në prezantime e debate thotë se është nga PDK-ja. /Indeksonline/