Sot dita historike, a do të votohet Reforma në Drejtësi?

Dita e sotme është cilësuar nga të gjithë si dita më e rëndësishme e Shqipërisë, pasi sot pritet që Parlamenti të diskutojë draftin e reformës në drejtësi.

Kur u duk se u arrit një marrëveshje mes opozitës dhe pozitës, orët e mbrëmshme kanë minuar përsëri konsensusin e arritur me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtarë.

Pasditen e djeshme, në një konferencë për shtyp, kryetari i PD, Lulzim Basha njoftoi lajmin e shumëpritur nga të gjithë: Opozita kishte rënë dakord që të votojë pro reformës në drejtësi.

Pas tij, doli dhe kryeministri Edi Rama, duke konfirmuar se marrëveshja ishte arritur dhe pritej dita e sotme që drafti të kalonte në Parlament.

Por, konsensusi ka zgjatur vetëm disa orë, pasi palët kanë filluar përsëri mosmarrëveshjet mes tyre. Ishin komisionarët e partisë demokratike që njoftuan se marrëveshja e arritur ende nuk është konkretizuar në draft.

Menjëherë ka ardhur reagimi i ambasadës amerikane, ndoshta më i ashpri këto 20 vitet e fundit, ku akuzonte në mënyrë të drejtpërdrejtë kreun e PD-së se po bllokonte reformën në drejtësi.

Në këtë deklaratë, ambasada amerikane bënte thirrje që deputetët të votonin në mënyrë individuale, edhe nëse palët nuk gjenin konsensus.

Nuk dihet se çdo të ndodhë deri në orën 10:00, ku është planifikuar të mbahet seanca në, por tashmë në parlament është depozituar drafti për miratim, pa përfshirjen e marrëveshjes së fundit mes palëve.

Ndërkohë që është njoftuar se në orën 08:45, Lulzim Basha do të dalë në një konferencë urgjente për shtyp.