Hoxhaj: Shkarkimi i Petrit Selimit, ligjor – ka pasur koordinim

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Berlini në Info Magazine ka thënë se, pas njohjes së sotme të pavarësisë së Kosovës nga Suriname, pret që edhe disa shtete ta bëjnë këtë gjë.

“Së fundmi kam takuar pesë shtete jonjohëse dhe besoj që gjatë verës do të ketë edhe vendime të tjera, meqë ka edhe disa vende që janë në procedurë e sipër që ta përmbyllin njohjen e Kosovës. Besoj që do të jetë lajme të mira edhe nga pjesa tjetër e Amerikës Jugore, por edhe nga Afrika dhe Azia”.

Ai ka folur edhe për takimin që ka zhvilluar me homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, gjatë së cilit ka thënë se kanë biseduar për bashkëpunimin më të ngushtë me Kosovës dhe Gjermanisë, agjendën europiane të Kosovës dhe zhvillimet tjera me rëndësi në Europë.

“Ky ka qenë takim bilateral. Vizita ime e parë në këtë mandat të dytë. Steinmeier është mik i vjetër i Kosovës dhe mik imi personal. Faktor përshpejtues në njohjen e Kosovës. Kemi biseduar se si të kemi bashkëpunim më të ngushtë mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe për sjelljen e investitorëve të huaj në vend. Përtej temave bilaterale kemi biseduar për anëtarësimin e Kosovës në organizata botërore dhe të përfshihemi në agjendat europiane, meqë në vjeshtë presim vendim pozitiv për liberalizimin e vizave. Natyrisht që kemi biseduar për zhvillimet në Turqi, për votën e britanikëve për ta ridefinuar BE-në dhe të ngjashme”.

Ministri Hoxhaj ka thënë se shkarkimi i zv.ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ishte krejtësisht ligjor, dhe se për bindjen e tij ka pasur koordinim për këtë gjë.

“Edhe unë edhe Petrit Selimi jemi anëtarë të qeverisë të cilën e drejton Isa Mustafa, që mendoj se paraprakisht ka biseduar edhe me të edhe me Partinë Demokratike të Kosovës. Është respektim i ligjit dhe nuk ka ndonjë keqkuptim. Vendimi i kryeministrit është në përputhje me ligjin në fuqi”.