Hoxhaj takoi Steinmeier: Gjermania partneri strategjik evropian i Kosovës

Berlin, 22 korrik 2016 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar në Berlin homologun e tij gjerman, Walter Steinmeier me të cilin kanë diskutuar për raportet bilaterale dhe agjendën ndërkombëtare të Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Hoxhaj ka falendëruar Steinmeier dhe Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën në konsolidimin e brendshëm dhe atë të jashtëm veçmas për ngritjen e një shteti nga themelet, një shtet demokratik, shumëetnik dhe sekular.

Hoxhaj është shprehur optimist pas takimit me Steinemer, se Gjermania mbetet një forcë shtytëse dhe adresa për Kosovën në Evropë në kohën kur vetë BE-ja po kalon nëpër zhvillime interesante.

 enveri

Jam këtu në Berlin si ministër i Jashtëm i Kosovës dhe si një mik i Gjermanisë, një shtet shumë përkrahës për Kosovën për të rikonfirmuar edhe njëherë lidhjet e ngushta që kemi ndërmjet dy vendeve tona. Në planin e brendshëm, investimet gjermane janë të domosdoshme në Kosovë. Në planin e jashtëm, ne kemi ende nevojë për përkrahjen e Gjermanisë për anëtarësim në institucione ndërkombëtare. Ne i jemi mirënjohës Gjermanisë për mbështetjen që i ka dhënë vendit për të ndërtuar një shtet nga themelet, një shtet demokratik, shumë etnik dhe sekular” ka thënë Hoxhaj.

Në takim, është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave dhe garancitë e marra se qytetarët e Kosovës do të lëvizin shpejt pa viza.

“Prej këtij viti, Kosova ka hyrë në një fazë të re të marrdhënieve të saj me Bashkimin Evropian pas nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të MSA-së, dhe për këtë i jemi shumë falenderues Gjermanisë dhe ministrit Steinmeier për mbështetjen. Po ashtu, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është shumë i nevojshëm dhe jam optimist se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt” ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj dhe Steinmeier kanë folur edhe për nevojën e thellimit të marrëdhënieve bilaterale në fushën e ekonomisë dhe tregtisë pasi Kosova ka nevojë për investimet gjermane.

Në ditën e dytë të vizitës në Gjermani, Hoxhaj ka zhvilluat edhe takime të tjera sikurse në Institutin Aspen, ndërsa një ditë më herët ka takuar përfaqësues të ekonomisë gjermane dhe të shoqërisë civile.