Kosova më mirë se 100 shtete për nga pjesëmarrja në “Rio 2016”

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë se Kosova synon të kthehet me medalje nga përfaqësimi i parë në Lojëra Olimpike.

Kosova për herë të parë merr pjesë në “Rio 2016” me tetë garues dhe, sipas Hasanit, ka gjasa të mëdha që të paktën një medalje të vijë në Kosovë.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka bërë të ditur se më shumë se 100 shtete të botës kanë më pak sportistë në Rio në krahasim me Kosovën.

Xhudistet Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, që në “Rio 2016” janë kualifikuar me normë olimpike, janë garueset nga të cilat më së shumti pritet sukses, thotë Hasani.

“Norma olimpike tregon se kanë kapacitet për të fituar medalje. Ato janë në mesin e 14 më të mirave në botë. Reale janë pritshmëritë që ata që shkojnë me normë olimpike dalin me medalje. Majlinda është favorite dhe shumë shpresojmë që edhe Nora të na befasojë këndshëm”, ka thënë Hasani.