Për kalim nëpër Rrugën e Kombit pagesa do të jetë 5 euro

Ministria e Transporteve njoftoi sot se ka përzgjedhur fituese për autostradën Milot-Morinë kompaninë turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, e cila paraqiti ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 euro.

Kështu, kjo kompani do të marrë me koncesion këtë aks për 30 vjet, duke vendosur një taksë për automjetet që do të kalojë. Taksa që do të duhet të paguajnë autoveturat do të jetë 5 euro për çdo makinë.

Ndërsa, për banorët përreth zonave, që ndodhen përgjatë kësaj autostrade, Ministria e Transporteve po punon që kalimi të jetë falas ose me një tarifë të vogël simbolike, të cilët do të pajisen me kartë.

Sa u përket automjeteve të shërbimeve, të tilla si autobusët, furgonët, kamionët që kryejnë këtë aks disa herë në ditë, kjo pjesë ende nuk është negociuar me kompaninë turke. Syri.net mëson se në muajt shtator-tetor 2016 pritet që të diskutohet kontrata mes Ministrisë dhe kompanisë për të bërë kategorizimet e sakta për automjetet dhe çmimet respektive.

Tarifat për këtë kategori, pra për autobusët e kamionët do të jenë më të larta se 5 euro, por kufiri i saktë mbetet do të përcaktohet në shtator-tetor nga bisedimet. Pas vendosjes së këtyre tarifave, aplikimi i pagesës për këdo që do të kalojë në autostradën Milot-Morinë do të fillojë 6 muaj më vonë.