SHBA premton mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Greg Delawie i cili ishte i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës sё zëvendës ambasadorit njëherësh udhëheqësi i misionit tё USAID James Hope, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Në këtë takim Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin Delawie për ndihmën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë Ministrisë dhe institucioneve të sigurisë dhe ligjit, njëherësh e siguroi Delawie për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në veçanti në sundimin e rendit dhe ligjit.

Hoxha shfaqi përkushtimin për promovimin e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies si parime kyçe të qeverisjes së mirë.

“Përkrahja për gjykatat dhe gjykatësit, mbështetja institucionale, siguria dhe mbrojtja e qytetarëve, reformat në kodin penal dhe procedurën penale, si dhe mos ndikimi i politikës në gjyqësor do të jenë prioritetet kyçe” tha ministrja Hoxha.

Në kuadër të kësaj, Ambasadori Delawie uroi ministren Hoxha për pozitën e re dhe shfaqi përkrahjen e pa rezervë për realizimin e këtyre objektivave dhe përballimin e sfidave.