Gërvalla: Nëse demarkacioni kalon me votat e LDK-së, unë jap dorëheqje

Donika Gërvalla, kryetare e degëve të LDK-së në Gjermani ka folur për aktualitetin politik në vend, demarkacionin, problemet në LDK, dënimet për vrasjen e familjes së saj në Gjermani, veprimet e fundit të presidentit të vendit e shumë çka tjetër.

Ajo në emisionin Rrokum Roll ka thënë se marrëveshja e Demarkacionit nëse kalon në këtë formë, është akt tradhtie ndaj shtetit dhe madje ka thënë publikisht se nëse kjo marrëveshje kalon me votat e LDK-së ajo pas 25 viteve punë e angazhim është e detyruar të japë dorëheqje nga ky subjekt politik, ngase sipas saj nuk e lejon ndërgjegjja që të shkoj më para varrit të babit të saj dhe ti dërgoj lule.

Aktivistja shumëvjeçare e LDK-së ka thënë se nëse largohet nga LDK nuk do të kalojë në asnjë parti politike, as nuk do të bëjë ndonjë fraksion brenda saj, duke shtuar se kur ka hyrë në LDK aty nuk kishte vende pune dhe nuk kishte privilegje por ka vepruar dhe ndihmuar për lirinë e Kosovës.

Gërvalla ka thënë se është një paaftësi totale politike, sa i përket demarkacionit duke shtuar se në këtë rrugë janë injoruar faktet dhe ka arritur deri në këtë pikë sa që duhet dita zero me të cilin duhet me nis rishqyrtimi i kësaj marrëveshje.

Ajo ka shpresë sidomos te deputetët që vijnë nga rajoni i Dukagjinit të cilët janë të prirë të vlerësojnë seriozisht  votën e tyre për demarkacionin.

Derisa për vrasjet që kanë ndodhur në Gjermani e sidomos me vrasjen e babait dhe familjarëve të saj, ajo ka thënë se direkt nuk ka gisht prej shqiptarëve por ajo ka bërë thirrje që nëse ka dikush informacione duhet me dalë sheshit dhe mos me luajt  me dhimbjen e familjes së tyre.

Gërvalla ka thënë se këto tema shumë shpejt kanë me u hapë edhe në Beograd kur tash Serbia është duke bërë hapat e parë për të hyrë në BE, pa harruar me cek se kushdo që ka gisht nuk ka me shpëtua prej drejtësisë gjermane sikur tash që po hetohen edhe kroatët.

Kurse sa i përket përsëritjes së zgjedhjeve në Gjermani e Zvicër, ajo ka thënë se gjithçka varet prej Prishtinës dhe nëse Prishtina nuk bënë ndonjë dallavere atëherë kah shtatori zgjedhjet mund të mbahen në degët dhe nëndegët atje, duke shtuar gjithnjë se edhe zgjedhjet më herët kanë qenë krejtësisht në rregull.

Ajo madje ka thënë se Isa Mustafa ka vetëm çështje personale me atë dhe nuk arrin me gjet asnjëherë kompromis duke shtuar se është në pyetje autoriteti të cilin ajo e gëzon në masë të konsiderueshme sidomos në shtetin gjerman.

E sa i përket përuljes së presidentit Hashim Thaçi në varrezat e serbëve në Grack të Lipjanit ku mbishkrimi madje ka qenë se viktimat janë bërë nga terroristët shqiptar, Donika ka thënë se kjo e tejkalon jo njerëzoren dhe humanen dhe ka bërë që edhe bashkëfshatarët e saj janë hidhëruar aq shumë sa që kanë thënë që presidentit nuk do ti lejojnë të bëjë homazhe në varrezat e Jusufit dhe Bardhoshit në Dubovik të Deçanit./prishtinapress/