Britania “çlirohet” nga lidhjet e fundit me BE-në, heq shkurtimet latine online

Ndoshta edhe për t’u ”çliruar” edhe nga lidhja e fundit me Evropën Kontinentale pas referendumit të 23 qershorit për Brexitin, Qeveria e Britanisë së Madhe vendosi të heqë nga faqet e saj të internetit shkurtimet në gjuhën latine.

Edhe pse për shekuj me radhë janë pjesë integrale e anglishtes, fjalë si ”e tjerë” (”etc”) apo ”për shembull” (”eg”) nuk do të mund të përdoren më sepse, sipas britanikëve, krijojnë pështjellim për gjuhën amtare dhe për të huajt.

Bëhet fjalë për një vendim me prapavijë puriste, shumë i kritikuar nga studiuesit dhe gjuhëtarët britanikë.

”Latinishtja është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, por mbi të gjitha na lidh me kulturat e tjera të Evropës dhe të botës që kanë lidhje me gjuhët që rrjedhin nga ajo”, deklaroi Roger Wemyss Brooks, profesor i latinishtes dhe shef i Latin Mass Society të Anglisë dhe Uellsit.