Mbi 1 milionë euro investime në katër komuna

Për të ndihmuar promovimin e sportit dhe kulturës në komunat e Pejës, Suharekës, Kaçanikut e Mitrovicës, Ministria e Kulturës ka ndarë 1 milion e 150 mijë euro.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë mbi 1,1 milion euro për infrastrukturën sportive të katër komunave të vendit.

Sot, Ministria ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës për ndërtimin e qendrës kulturore për komunitete, ku do të investojë 23.200 euro, kurse Komuna 20 mijë.

Sipas një komunikate të MKRS-së, sekretari i përgjithshëm, Veton Firzi, ka thënë se ky investim do të krijojë një hapësirë të re për komunitetet e Mitrovicës që të zhvillojnë aktivitetet e tyre kulturore dhe ndikojnë në pasurimin dhe rritjen e jetës kulturore e artistike.

Para disa ditësh, Ministria ka nënshkruar memorandume edhe me Komunën e Pejës, Suharekës dhe Kaçanikut.

MKRS-ja do të investojë 650 mijë euro për ndërtimin e një palestre sportive në Zahaq të Pejës, kurse Komuna do të investojë 10 mijë euro.

Ndërkaq, Komuna e Kaçanikut dhe e Suharekës do të ndihmohen për të rinovuar stadiumet e tyre.

Për renovimin e stadiumit të Kaçanikut, Ministria ka ndarë 200 mijë euro, kurse Komuna do të investojë 140 mijë. Ndërsa, për stadiumin e Suharekës Ministria do të investojë 277 mijë euro dhe Komuna 173 mijë.