MF nënshkruan garancinë shtetërore për Trafikun Urban

Pas përmbushjes së të gjitha kërkesave dhe procedurave ligjore, ministri i Financave, Avdullah Hoti sot nënshkroi marrëveshjen për Garanci Shtetërore me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me anë të së cilës mundësohet marrja e kredisë për Trafikun Urban për blerjen e 51 autobusëve.

Ministri Hoti dhe drejtoresha e BERZH-it, sot nënshkruan marrëveshjen për garanci shtetërore, e cila garanton kredinë në shumë prej 10 milion eurove, para këto të cilat do t’i vihen në dispozicion Ndërmarrjes Publike Komunale Trafiku Urban.

“Kjo kredi do të shfrytëzohet për blerjen e 51 autobusëve të ri, të cilët do t’i shtohen flotës së Trafikut Urban dhe do ta ndihmojnë ndërmarrjen në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët. Ky investim pritet të të përmirësojë gjendjen financiare të ndërmarrjes me flotën e re dhe moderne, por të njëjtën kohë edhe të reduktojë ndjeshëm ndotjen e ajrit në qytet, marrë parasysh që autobusët do të kenë standardin e emetimit Euro 6”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.

Ofrimi i Garancisë Shtetërore nga ana e Ministrisë së Financave e mundëson marrjen e kredisë dhe siguron kushte më të volitshme financiare, të cilat përkthehen në periudhë kthimi prej 12 viteve dhe normë interesi prej 1% + Euribor.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministria e Financave do të procedojë për miratim në Qeveri Projektligjin i cili pastaj dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës./PrishtinaPress.eu/