Meditech përmes KOMF dhuron donacion për dializën e fëmijëve

Shërbimi i Hemodializës për Fëmijë në kuadër të Klinikës së Pediatrisë ka përfituar donacion në material shpenzues nga kompania Meditech L.L.C, përmes Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, KOMF.

Me këtë rast Angelika Viets, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, tha se  në fazën e tranzicionit  nëpër të cilën po kalon Kosova, donacionet e tilla janë të nevojshme dhe mirëseardhura, thuhet në një njoftim për media.

“Kompania Gjermane Freseniuz, përmes përfaqësisë së saj në Kosovë,  ka ndihmuar me aparatura të ndryshme në Kosovë, e  në këtë rast përmes KOMF do të ndihmojë fëmijët që të marrin këtë shërbim në Kosovë”, theksoi Viets.

Sipas saj, nevojiten investime më të mëdha në shëndetësi, në mënyrë që gjendja të përmirësohet në vazhdimësi, po ashtu edhe Ligji për Sigurime Shëndetësore do të ndihmonte në këtë drejtim.

Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së Curr Gjocaj falënderoi Ambasadoren Viets për angazhim, duke shtuar se iniciativa e KOMF është shembull i mirë që mund të shërbejë edhe për organizata  dhe institucione të tjera jo qeveritare.

“Kosova, prinë në regjion për sa i përket popullatës në moshë të re( fëmijëve) dhe  shpresojmë se iniciativa e filluar do të vazhdojë edhe në të ardhmen, gjithherë në të mirë të ofrimit sa më të mirë të kujdesit shëndetësorë për fëmijët, kujdes ky që garantohet edhe me  legjislacionin në fuqi, por edhe konventat tjera që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, potencoi mes tjerash drejtori Gjocaj.

Ndërsa Donjeta Kelmendi, drejtor Ekzekutiv i KOMF, tha se KOMF është  organizatë joqeveritare që në përbërje ka 22 organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen dhe promovimin  e të drejtave të fëmijëve.

“KOMF kryesisht është marrë me  fushat e mirëqenies  sociale, arsimit të fëmijëve, e së fundmi kanë nisur iniciativa edhe në fushën e shëndetësisë.  Përmes platformës Miqtë e Fëmijëve, ku janë kyçur personalitete nga fusha e diplomacisë, artit, muzikës, sportit dhe fushave tjera, mes tjerash edhe Ambasadorja Viets, është arritur që me iniciativë dhe lajmërim të Z. Agron Sadiku nga Meditech, të realizohet ky donacion”, u shpreh Kelmendi.

Zëvendësministëri i Shëndetësisë së Kosovës Izet Sadiku, tha se shëndeti i nënës dhe fëmijës ka qenë në qendër të vëmendjes së Ministrisë së Shëndetësisë.

“Përmes projektit të Bankës Botërore, do të blihen paisje në vlerë 1.7 milion euro për pediatri dhe neonatologji”   tha Sadiku. Sipas tij,  me ndërtimin e objektit të ri  të Kirurgjisë Pediatrike dhe Pediatrisë, i cili është donacion nga Emiratet e  Bashkuara Arabe,  në vlerë mbi 22 milion euro do të krijohen kushte më të mira për trajtim të fëmijëve./PrishtinaPress.eu