Lekaj i gatshëm t’i ndihmojë Isa Mustafës

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se është i gatshëm t’i ndihmojë Isa Mustafës për hir të Kosovës, nëse ia kanë vendosur lakun në fyt. Ndërsa ka konfirmuar se janë takuar me dy partitë opozitare, VV-në dhe Nismën, për të koordinuar veprimet për seancën e Kuvendit kur të procedohet për ratifikim Demarkacioni.

“Deputetët dhe ekspertët tanë do të marrin pjesë në debatin shkencor lidhur me Demarkacionin”, kështu ka thënë Lekaj në emisionin Rrokum Roll.

Sipas tij, pas këtij debati, nuk ka më pas prej atyre që ka me ngritë dorën me votuar për Demarkacionin.

Argumentet e publikuara së fundi se Demarkacioni është definuar qysh në Marrëveshjen e Kumanovës, ka dështuar dhe tregon se kjo qeveri po përgatitë ushqim për t’i helmuar qytetarët e Kosovës, ka shtuar në mes tjerash Lekaj.

“Jam i bindur që Demarkacioni nuk do të kalojë, e them duke u nisur nga vetja, sepse nuk kishte mundur askush të më bind se duhet të votojë një Demarkacion të tillë, ku i falet toka e Kosovës një shteti tjetër”, ka thënë ai.

Duke folur për propozimet e fundit që kjo marrëveshje fillimisht të votohet në Kuvend e pastaj të dërgohet në arbitrazh, Lekaj tha se “Marrëveshja duhet së pari të vije në Kuvend dhe të dështojë, e mandej të formojë një komision që t’i rifillojë negociatat me Malin e Zi, assesi nuk mundet të dërgohet në arbitrazh”.

Lekaj paralajmëron që mos të vije puna që qytetarët të vijnë deri në Prishtinë, sepse atëherë, sipas tij ka me qenë vonë.PrishtinaPress.eu