Reuters: Ambasada turke i bën presion Qeverisë së Kosovës ta dënojë me burg Berat Buzhalën (Dokument)

Më 20 korrik, ambasada turke në Prishtinë i dërgoi një letër ministrisë së Jashtme të Kosovës, duke i bërë thirrje që të ndërmerr veprim për komentet e gazetarëve, raporton Gazeta Express.

Ambasada Turke në Kosove i ka bërë presion Qeverisë së Kosovës që të marrë masa ndaj komenteve të bëra në Facebook rreth puçit në Turqi.

Pasi puçi ushtarak dështoi në Turqi më 15 korrik, Berat Buzhala, një gazetar, i njohur në Kosovë për komentet e tij satirike, ka shkruar në Facebook, shkruan Reuters:

“I ftoj qytetarët e Kosovës që po gjenden me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”.

Ky koment është bërë me shenjat emoticon, gjë që tregon se komenti nuk ishte serioz.

“Ky është grusht shteti më i rëndë që nga ardhja e Facecookut”, ka thënë Buzhala, në një tjetër postim të tij.

Në dokument thuhet se Turqia është njëra ndër përkrahëset e para të Kosovës nga shpallja e pavarësisë së saj nga Serbia në vitin 2008. Kompanitë turke kanë shtrirë bizneset e tyre edhe në aeroportin kryesor të vendit por edhe në energjetikë dhe në ndertimin e autostradës.

Buzhala ka më shumë se 40 mijë ndjekës në Facebook.

Tutje, agjencia nderkombtare, potencon se Berat Buzhala është në krye të portalit të lajmeve gazetaexpress.com i cili është portali më i madh në Kosovë me më shumë se 1 milion vizita në ditë, dhe i cili gjithashtu ka kritikuar kosovarët që iu bashkuan luftës së xhihadit krah Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

“[Ministria duhet] të sigurojë se hapa të nevojshëm do të merren për këtë person në përputhje me ligjin,” shkruan në letër, e cila shoqërohet nga një screenshot të komenteve të Berat Buzhalës në Facebook.

Letra e ambasadës, e cila është parë nga Reuters, po ashtu citon një ligj të sapo përditësuar të Kosovës i cili ua ndalon qytetarëve të vendit që t’iu bashkohen konflikteve jashtë shtetit.

Në letër, ambasada po ashtu ka thënë se ligji përcakton se komentet nga njerëzit siç është Buzhala “do të dënohen me dënim me burg prej gashtë muaj deri në pesë vite burg.”

SHKOLLAT E GULENIT NË BALLKAN

Disa vende të Ballkanit janë përballur me presion nga Ankara për t’i mbyllur shkollat private që kanë lidhje me Fethullah Gulen, klerikun mysliman që jeton në ShBA, e i cili akuzohet nga Ankara për orkestrimin e tentim puçit të 15 korrikut.

Kosova thotë se deri më këto momente nuk ka marrë ndonjë kërkesë të tillë nga Ankara. Mediat vendase të Kosovës e kanë cituar ministrin e Arsimit, Arsim Bajramin javën e kaluar duke thënë se Kosova nuk ka plane që t’i mbyllë shkollat me lidhje të Gulenit.

Mbetet e paqartë se çfarë hapash do të marrin autoritetet kosovare për letrën diplomatike të Turqisë. Zyrtarët e ministrisë së Jashtme në Prishtinë nuk kanë komentuar për këtë rast.

Buzhala ka thënë se nuk është informuar për letrën e ambasadës, por se e ka parë një fushatë online kundër tij nga uebsajtet islamike duke kërkuar arrestimin e tij.

“Kjo demonstron arrogancën e Qeverisë turke ndaj vendeve të vogla siç është Kosova, duke dëshiruar t’i detyrojë ata të nënshtrohen politikisht dhe në gjyqësi, përveç nënshtrimit ekonomik,” tha Buzhala.

“Është e paimagjinueshme se si një Qeveri e huaj bën një kërkesë të tillë për shkak të komenteve satirike,” tha ai.

Në Bosnje, ku shkollat e sponsorizuara nga Gulen, janë hapur që nga lufta e vitit 1990, ambasadori turk, Cihad Erginay, u bëri thirrje javën e kaluar zyrtarëve dhe prindërve që të veprojnë kundër shkollave të cilat cilësohen si “organizata terroriste”.

Zyrtarët në Bosnje ende nuk kanë reaguar.

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, thuhet të ketë kërkuar gjatë vizitës së tij në Sarajevë vitin e kaluar që shkollat e Gulen të mbyllen. /Gazeta Express/