Thaçi: Zymberi, shëmbëlltyrë e mbrojtjes së Kushtetutës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar edhe sot heroin Enver Zymberi, i cili ra në detyrë gjatë një aksion në veri të Kosovës në vitin 2011, me urdhër të Thaçit sa ishte kryeministër.

Thaçi konsideron se Zymberi ra heroikisht dhe tash kujtohet me krenari duke nderuar sakrificën e tij, transmeton lajmi.net

“Sot e kujtojmë me krenari, duke nderuar sakrificën, jetën dhe veprën e tij, si shëmbëlltyrën më të mirë se si mbrohet Kushtetuta dhe ligjet e shtetit”, ka shkruar Thaçi.

Ai i ka atribuuar edhe merita tjera policit të ndjerë duke thënë se integrimi i veriut dhe bashkimi territorial i Kosovës, mbajnë gjurmët e Zymberit.

Postimi i Thaçit:

Pesë vite më parë ra heroikisht në krye të detyrës Enver Zymberi, të cilin sot e kujtojmë me krenari, duke nderuar sakrificën, jetën dhe veprën e tij, si shëmbëlltyrën më të mirë se si mbrohet Kushtetuta dhe ligjet e shtetit.

Integrimi i veriut dhe bashkimi territorial i Kosovës mbajnë gjurmët e lavdishme të rënies heroike të Enver Zymberit.

Çdoherë kur kujtojmë 25 dhe 26 korrikun e vitit 2011, kujtojmë sakrificën e grave dhe burrave policë të Kosovës, që bënë të mundshëm bashkimin e Kosovës. HTH