VV: Enver Zymberi, shembull inkurajues për brezat që synojnë atdhe të lirë (Foto)

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë sot homazhe pranë lapidarit të heroit Enver Zymberi, policit të vrarë nga strukturat kriminale ilegale të Serbisë në veri të Kosovës me 26 korrik të vitit 2011, në krye të detyrës, në përpjekjen për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit.

Sipas VV-së, shembulli i Enver Zymberit ishte dhe mbetet inkurajues jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjithë brezat e ardhshëm, që synojnë krijimin e atdheut të lirë e sovran.

“Akti i tij heroik ka bërë që emri i tij të shkruhet në pllakën ku shkruhen emrat e gjithë atyre shqiptarëve që u flijuan për Kosovën me liri, pavarësi e sovranitet të plotë, për Kosovën ku gjithë qytetarët janë të barabartë.

Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar pesë vite nga vrasja e heroit Zymberi, vrasësit e tij ende nuk dihen dhe jetojnë në liri, teksa qeveritarët e Kosovës kanë vazhduar negociatat me Serbinë, duke pranuar koncesione e projekte të dëmshme si “Zajednica”.

Gjyqi i realizuar nga EULEX me të dyshuarit për këtë krim të Serbisë doli të jetë një dështim dhe zhgënjim.

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh gjithmonë respektin dhe nderimin e thellë për punën, veprën dhe vetëmohimin e Enver Zymberit, duke theksuar përherë që emri i heronjve dhe dëshmorëve tanë nuk duhet të harrohet asnjëherë, ashtu sikurse që gjaku i tyre nuk humbet kurrë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes./PrishtinaPress.eu