Meta kthehet urgjent nga SHBA: Në Shqipëri po synohet prishja e konsensusit për “Drejtësinë’

Kreu i Parlamentit Ilir Meta ka ndërprerë vizitën e tij në SHBA, për tu kthyer në Shqipëri, ku palët ende janë larg konsensusit për miratimin e 7 ligjeve.

“Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, ndërpret vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditëve të fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 korrikut për reformën në drejtësi”, thuhet ne njoftimin e Kuvendit.

Ndërkohë, Komisioni i mblodh pas mesditës së të mërkurës, por vetëm me përfaqësuesit e mazhorancës dhe asnjë anëtar nga opozita. Në fjalën e mbajtur, kryetari i këtij Komisioni, Fatmir Xhafaj lidhi mungesën e opozitës me ndërprerjen e vizitës së Ilir Metës në SHBA. “Më vjen keq që Partia Demokratike i prishi vizitën Ilir Metës në Shtetet e Bashkuara.

Përfaqësuesit e opozitës duhet të kishin ardhur në komision dhe të mos e kishin bojkotuar atë”, tha ai.Hapi i parë i reformës është ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pasi seanca do të jetë brenda kësaj jave dhe Xhafaj tha se kalimi i këtij ligji i hap rrugë gjithë reformës. “Ligji për vetingun është një nga 7 ligjet kryesore të paketës dhe bën të mundur zbatimin e asaj që kemi miratuar. Vetingu bën të mundur ngritjen e institucioneve të reja dhe fillimin e reformës në drejtësi”, deklaroi deputeti socialist.

Mesa duket do të duhet sërish një ndërhyrje e faktorit LSI për të rikthyer edhe një herë konsensusin në tavolinë për nisjen nga puna të shqyrtimeve të 7 ligjeve .