Prokurori propozon dëshmitar të ri në rastin “MTPT”

Zyrtari i Agjencisë Kundër Korrupsion, Ekrem Demolli,  pritet të dëshmoj të enjten në Gjykatën Themelorë në Prishtinë, në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit, i  njohur si rasti  “MTPT”.

Demolli, i cili në vitin 2009 e kishte intervistuar tashmë të ndjerin, biznesmenin Mehmet Shkodra, lidhur me dallaveret në dhënien e tenderëve nga MTPT, u propozua si dëshmitar nga Prokurori i Prokurorisë Speciale, Charles Hardaway. Ky propozim u bë në seancën e së mërkurës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Prokurori Hardaway, tregoi arsyen e propozimit të këtij dëshmitari në gjykimin kundër ish-ministrit të MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i Prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

Sipas tij,  arsyeja e propozimit të këtij dëshmitari, i cili nuk ishte në listën e dëshmitarëve, është se i njëjti është përmendur gjatë dëshmisë së kreut të AKK-së, Hasan Preteni, dhe se i njëjti ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në intervistimin e biznesmenit Shkodra.

“Ky dëshmitar nuk ka qenë i përfshirë në listën e dëshmitarëve të propozuar nga ne,  por i njëjti na u është bërë i ditur nga dëshmia e Hasan Pretenit.  Ky dëshmitar nuk është marr në pyetje asnjëherë dhe për këtë s’kemi ndonjë deklaratë të tij t’i ofrojmë mbrojtjes”, u shprehë prokurori Hardaway.

Sqarimi i prokurorit  rreth  këtij dëshmitari erdhi pas reagimit të mbrojtësve të Fatmir Limajt, avokatit Tahir Rrecaj dhe atij të Florim Sukes, avokatit Blerim Prestreshi, të cilët kërkuan të dinë rëndësinë dhe rrethanat për të cilat do të ftohet ky dëshmitar.

Ndryshe, kreu i  AKK-së, Hasan Preteni gjatë dëshmisë së tij në gjykatë më 27 maj të këtij viti kishte deklaruar se zyrtarët e kësaj agjencie, Ekrem Demolli dhe Burim Sadiku, ishin ata të cilët  kishin marr deklaratën e Mehmet Shkodrës.

Ndërkohë, gjatë seancës së të mërkurës edhe pse trupi gjykues në krye me Maria Tuma kishte  ftuar të vazhdonte dëshminë e tij,  biznesmeni Zukri Qavolli, i njëjti nuk u rimor në pyetje nga asnjëra palë.

Seanca e radhës në këtë proces gjyqësor vazhdon të enjten në ora  13:00.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së  Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të  tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit (MTPT).

Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka. /BetimipërDrejtësi/.