Strategjia për trashëgimi kulturore tash e një vit në përpunim

E publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit, para gati një viti në versionin e draftit, Strategjia Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore shoqërohet me periudhën që cakton validitetin e saj, 2015-2025, shkruan sot Koha Ditore.

Hartuesit, përveç tjerash, do të duhet t’i ndërrojnë edhe datat për shkak të vonesës në plotësimin e dokumentit që përmban udhëzime teorike sesi duhet të mbrohet trashëgimia kulturore për dekadën e ardhshme. Drafti qe publikuar në shtator të vitit të kaluar dhe njohës të fushës së trashëgimisë e patën kritikuar atë, duke e cilësuar amatoresk dhe sipërfaqësor.

Versioni final i këtij dokumenti ende nuk është bërë publik, por MKRS-ja paralajmëron se “së shpejti do të nxirret në diskutim publik”. Bashkë me të, ky institucion do ta publikojë edhe Planin e Veprimit – si dokument plotësues i Strategjisë. Pjesëtarë të organizatave joqeveritare që kanë qenë të përfshirë në procesin e hartimit të draftit, më nuk janë në dijeni se çfarë ka ndodhur, por janë të bindur se dokumenti ka pasur nevojë për ndërhyrje dhe se nuk mund të pritet që të garantojë sukses në mbrojtjen e kësaj fushe.

Ndue Ukaj, shef i Kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, ka thënë se dokumenti i Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore, është finalizuar pas një procesi të zgjeruar konsultativ.