S’kanë para për t’u futur në treg

Pavarësisht se udhëzimi administrativ parasheh që tregu i shitjeve të arkave fiskale të liberalizohet, por një gjë e tillë nuk po ndodh, pasi që kompanitë e reja që janë futur në këtë proces nuk po kanë mjete për t’u futur në treg.

Kompania “BBROS” LLC ka arritur që të kalojë edhe testin e fundit teknik për certifikim te laboratori, i cili funksionon në kuadër të Fakultetit Teknik të UP-së, në mënyrë që të nisin shitjen e arkave fiskale.

Por pavarësisht kësaj kjo kompani ende nuk kanë filluar që të operojnë në treg.

Lavdim Kurtaj, profesori që është duke kryer punën në laborator, ka thënë se së fundmi ka dorëzuar raportin në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) vetëm për kompaninë “Enternet” ndërsa kompanitë “BBROS” që u fiskalizua, sipas tij, ende nuk i kanë kryer të gjitha obligimet financiare, andaj nuk ka shkuar raporti në ATK.

“E kaluan me sukses një Arkë Fiskale. Në kohën derisa analizohet dokumentacioni dhe bëhet gati Raporti (rreth 10 ditë) ata kanë pasur ta bëjnë pagesën. Tani ka disa muaj që Raporti është gati. Përkundër disa kërkesave nga ne dhe mundësive më të volitshme të pagesës ajo deri tani nuk është realizuar me arsyetime si nesër e paguajmë, brenda javës e paguajmë, kemi mungesë të fondeve, etj. Në momentin që përmbushet obligimi, në cilëndo nga format e mundësuara, raporti do të dorëzohet”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Qëndrim Bakija, pronar i “BBROS” ka thënë për gazetën ‘Zëri’ se kanë të vështirë operimin për shkak të fiskalizimit të ulët të bizneseve, por që ai thotë se po punojnë në këtë drejtim.