Punëtorë pa kontrata e me orar të tejzgjatur, kjo është gjendja në disa media të Kosovës

Inspektorati i punës në një konferencë për media ka dhënë detaje lidhur me gjendjen dhe respektimin e ligjit të punës në media, ndërsa kërkoi nga punëtorët që të tregojnë gatishmëri  për denoncimin e rasteve kur nuk respektohet kontrata e punës.

Inspektori i punës, Basri Brahimi në një konference për media tha se qëllimi i tyre nuk ka qenë gjobitja e mediave por t’i inkurajojnë udhëheqësit e mediave që t’i respektojnë ligjet dhe të drejtat e punëtorëve.

Ai tha se inspektimet e para i kanë bërë në 34 media, raporton Telegrafi.

Marrë në përgjithësi, inspektori tha se kanë hasur në disa parregullsi, si mungesa e kontratave të punës, orari i zgjatur i punës, puna gjatë festave shtetërore nuk është paguar etj.

Ai tha se numri i të punësuarve në media është 1896, ndërsa numri më i madh janë femra, 1177, ndërsa 719 meshkuj.

Brahimi theksoi se pa kontratë pune janë gjetur 21 persona. Ai po ashtu sqaroi se në katër raste personat me aftësi të kufizuara nuk i kanë pas të realizuara të drejtat e tyre, por pas inspektimit fatmirësisht të drejtat e tyre janë realizuar.

Ai po ashtu bëri të ditur se në 153 raste punëtorët janë mbajtur në punë me kontratë specifike ose jo të rregullt.

Inspektori i punës tha se në 649 raste kanë hasur në orar të tepruar të punës dhe po ashtu festat shtetërore nuk janë paguar.

Ai tha se sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë ka pasur mjaft të meta, por sipas raporteve të  e fundit këto probleme janë eliminuar.

Edhe sa i përket çështjesh së fatkeqësive natyrore, inspektori tha se duhet të ketë persona të trajnuar . Edhe kjo çështje u tha se është përmirësuar.

Sipas tij, edhe ajo që ka munguar ka qenë kontrolli mjekësor. Ai tha se lidhur me këtë kanë shqiptuar gjobë në tri raste.

Ai tha se ka hasur edhe në arrogancë gjatë inspektimit, duke menduar se inspektorati i punës nuk është serioz.

Brahimi po ashtu kërkoi gatishmëri nga punëtorët në media të raportojnë në lidhje me vonesat e pagave dhe mospërmbushjen e kontratës së punës. /Telegrafi/