Qeveria miraton një sërë vendimesh

Në mbledhjen e tij të rregullt, kabineti qeveritar ka miratuar një sërë vendimet të rëndësishme, transmeton Indeksonline.

Qeveria miratoi në parim propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Kosovës; propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e ngrohtores së re të qytetit në Gjakovë; propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të cilat preken nga ndërtimi i rrethrrotullimit që lidh rrugën nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë me rrugën lokale Vushtrri-Gojbulë, zona kadastrale Vushtrri.

Po ashtu, në mbledhje u miratua edhe shqyrtimi i nismës për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare të huasë për zbatimin e protokollit financiar të nënshkruar më 5 korrik, ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Francës; shqyrtimi i nismës për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet qeverisë së Hungarisë dhe Kosovës për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar si dhe shqyrtimi i nismës për plotësimin dhe ndryshimin e marrëveshjes financiare për IPA 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE.