Tmava: “Trepça” do të prodhojë 1 milion tonë xehe në vit

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, në një intervistë për gazetën “Zërin” u ka bërë apel institucioneve të shtetit që sa më parë ta miratojnë Ligjin për “Trepçën”, i cili garanton statusin zhvillimor, në mënyrë që më të mos punohet më me logjikën e mbijetesës. Ai garanton se me definimin e statusit, “Trepça” do të jetë fuqi reale ekonomike në vend.

Ai ka thënë se “Trepça” tani është me një status të mbijetesës, nuk është status zhvillimor.

“Në vazhdën e obligimeve tona që na takojnë, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet, punët, angazhimet, sugjerimet profesionale që të vijë deri te një status zhvillimor. Kemi pasur takime të shumta me nivelin qendror, me bartësit e institucioneve, qoftë të Qeverisë apo të Parlamentit, dhe pasi kemi bërë edhe tryeza shkencore, me gjithë potencialin kuadrovik që është brenda dhe jashtë, e që janë të lidhura me “Trepçën”, kemi dalë me konkluzione dhe rekomandime mbi statusin zhvillimor çfarë duhet ta ketë “Trepça”, sugjeruar me një konsensus maksimal të të gjithë potencialit kuadrovik. Pastaj pasoi formimi i një komisioni ndërministror për një draftligj për statusin e ‘Trepçës’, kemi qenë edhe ne edhe përfaqësuesi i Sindikatës, kuadrot e tjera të ‘Trepçës’ dhe përfaqësues të institucioneve qendrore. Është bërë një draftligj i cili është përcjellë në Qeverinë e Kosovës dhe tani presim procedimin e tij në Kuvendin e Kosovës. Kemi një dakordim dhe konsensus të të gjitha subjekteve politike dhe grupeve parlamentare që Ligji për ‘Trepçën” të trajtohet me emergjencë dhe konform interesave të vendit. Draftligji i ka arritur objektivat që i pretendojmë për një status zhvillimor dhe presim që sa më shpejt ligji të miratohet”, tha ai.