Inspektorati gjen shkelje të shumta te kompanitë mediale

Puna pa kontrata, kontrata në kundërshtim me Ligjin e punës, puna jashtë orarit, moskompensimi i duhur i punës gjatë natës dhe i punës për festa shtetërore, si dhe mungesa e kontrolleve mjekësore për të punësuarit, janë disa prej shkeljeve që Inspektorati i punës ka hasur në 34 kompani mediale që i ka inspektuar, në procesin inspektues që ka filluar më 26 maj të këtij viti.

Në një konferencë për media, kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, ka thënë se në këtë proces kanë inspektuar 34 media, shkruan sot Koha Ditore.

Ai ka theksuar se kanë pasur të inspektojnë më shumë media, por se një pjesë të tyre nuk kanë arritur që t’iu gjejnë as adresat e as punëdhënësit e tyre.

“Kjo ka mbetur në të ardhmen që të shohim ku janë dhe si funksionojnë”, është shprehur Ibrahimi.

Ai ka njoftuar se gjatë këtij procesi kanë shqiptuar tri gjoba, por nuk ka dhënë detaje për shumën ose mediat që janë gjobitur.