Shqiptarët, faktorë rajonalë në Ballkanin osman të shekullit XVIII

Këndvështrimi britanik gjatë shekullit XVIII për Perandorinë Osmane, në mjetet e informimit publik anglez, pasqyrohej si përpjekje e Portës së Lartë për të shmangur ballafaqimin ushtarak me fuqitë e krishtera evropiane në njërën anë dhe në anën tjetër, me procesin e fuqizimit të sundimtarëve lokalë në provincat osmane.

Një nga sundimtarët e tillë të fuqishëm ishin edhe Bushatlinjtë e Shkodrës.

Gazeta “Derby Mercury” e vitit 1786 shkruante se sipas raporteve që kishin marrë nga Zvorniku i Bosnjës, Pasha i Shkodrës si një strateg i madh ushtarak, me lëvizje të shpejtë dhe në fshehtësi të forcave të tij kishte shmangur ndeshjen me ushtrinë e Pashës së Bosnjës, duke pushtuar dhe plaçkitur qytetin e Prizrenit, shkruan sot Memli Krasniqi në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Me këtë rast ishin vrarë shumë banorë myslimanë, por të krishterët që kishin qëndruar në shtëpitë e tyre gjatë sulmit ishin kursyer, bile ata jo vetëm se ishin shpërblyer, por edhe i ishin bashkuar ushtrisë shqiptare.

Pas gjashtë ditë qëndrimi në qytetin e Prizrenit, pasha i Shkodrës u tërhoq me shumë gjëra të plaçkitura, si dhe bagëti të mbledhura nga rrethinat e qytetit.