Mosofrimi i ndihmës mjekësore gazetares Ramaj në QKUK-reagon Grupi KOHA

Refuzimi i ofrimit të ndihmës mjekësore gazetares së “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj, në Klinikën Emergjente të QKUK-së nga mjekja Nerxhivane Halimi, në natën mes së premtes dhe së shtunës, nuk përbën vetëm vepër penale e shkelje të etikës mjekësore, por edhe goditje të ashpër ndaj lirisë së shtypit në përpjekje për të dekurajuar gazetarët që të raportojnë për keqpërdorimet dhe trajtimet e pandërgjegjshme në këtë sektor të rëndësishëm publik në Kosovë.

Skandaloze ishte edhe sjellja arrogante e ofenduese e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në zyrën e PK-së në Emergjencë, Muhamet Smakiqi, ndaj gazetares Ramaj, e cila në këtë rast si paciente e ka paraqitur mosofrimin e ndihmës në këtë zyre.

Ramaj ka pësuar nga stampedo në Festivalin e birrën në Prishtinë, duke përfunduar në Emergjencë me lëndim të boshtit kurrizor dhe ndrydhje. Mjekja Halimi ka refuzuar t’ia ofrojë ndihmën emergjente duke ia përmendur profesionin, ndërsa polici Smakiqi ka shkuar deri aty sa ankesave të gazetares Ramaj u është përgjigjur duke i thënë “jeni bërë si zagarët”.

Saranda Ramaj së fundmi ka nxjerrë para opinionit seri shkrimesh për dy skandalet më të mëdha në sektorin e shëndetësisë, atë të stentave dhe të farmaceutikës. Vitin e kaluar ka fituar disa çmime të gazetarisë për serinë e shkrimeve për keqpërdorimet me citostatikë. Ndërsa në baza ditore shkruan për parregullsitë e tjera të shumta që e përcjellin këtë sektor.

Duke qenë fytyrë e njohur për personelin e QKUK-së, refuzimi i ndihmës mjekësore dhe sjelljet e ofendimet e policit të QKUK-së nuk mund të shihen ndryshe veçse një hakmarrje dhe shantazh për punën e saj në gazetë.

Grupi KOHA kërkon nga Ministria e Shëndetësisë e QKUK-ja, si dhe nga Policia e Kosovës qasje profesionale që respekton para së gjithash obligimin e mjekut që t’i japë ndihmë secilit që ka nevojë, dhe obligimin e policit që t’i ofrojë siguri secilit qytetar, me respekt dhe pa dallime. Grupi KOHA pret nga Prokuroria e Inspektorati Policor që këtë rast ta trajtojnë me urgjencë posa të marrin kallëzimin penal, respektivisht paraqitjen nga gazetarja Ramaj.