Nëna e ushtarit të vrarë amerikan i kundërpërgjigjet Trumpit

Nëna e një ushtari të vdekur amerikan mysliman ka reagur ndaj kandidatit për president të SHBA-ve, Donald Trump i cili ka vënë në pyetje heshtjen e saj gjatë një fjalimi të bashkëshortit të saj.

Ghazala Khan ka thënë se Trump ishte injorant në lidhje me Islamin dhe se ai nuk e di kuptimin e fjalës “sakrificë”.

Burri i saj, Khizr Khan  ka sulmuar kandidatin republikan në një fjalim emocional në Konventën Kombëtare Demokratike të enjten.

Trump më vonë ka sugjeruar se zonja Khan ndoshta nuk është lejuar të flasë, transmeton Klan Kosova.

Djali i çiftit, ushtari amerikan, Humayun Khan, u vra nga një bombë makinë në vitin 2004 në Irak në moshën 27 vjeçare.

Në një artikull për Washington Post, Khan tha se burri i saj e kishte pyetur nëse ajo donte të fliste në konventë, por ajo kishte qenë shumë e mërzitur.

“Duke ecur në skenën e Konventës, me një foto të madhe të birit tim pas meje, unë mezi mund të kontrolloja veten. Çfarë mund të bëjë një nënë? Donald Trump ka fëmijë, të cilët ai i do. A ai me të vërtetë duhet të pyes veten pse nuk mund të flisja?” shkruan ajo.

“Kur Donald Trump flet për Islamin, ai është injorant. Nëse ai e ka studiuar Islamin e vërtetë dhe Kuranin, të gjitha idetë e tij për terroristët do të ndryshonin, sepse terrorizmi është një “fe” tjetër”, ka shtuar ajo.

Ajo gjithashtu ka thënë se pavarësisht që nuk ka folur, e tërë bota dhe Amerika e ka ndjerë dhimbjen e saj.