Kosovarët kanë rreth 204 mijë kartela krediti

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se struktura e llogarive të jo-rezidentëve dominohet nga llogaritë individuale, 91.3 për qind në vitin 2015, përderisa llogaria afariste ka një pjesëmarrje prej 8.7 për qind.

“Numri i gjithsej kartelave (kartela debiti dhe krediti) që ofrojnë shërbime për tërheqje të parave të gatshme dhe pagesa të ndryshme shënoi rritje vjetore prej 28.1 për qind në vitin 2015. Numri i kartelave me funksion debiti në vitin 2015 arriti në 837,747, kurse me funksion krediti në 203,845. Numri i kartelave të debitit u karakterizua me rritje vjetore prej 23.5 për qind, kurse kartelat e kreditit me rritje vjetore prej 67.6 për qind në vitin 2015.

Pjesëmarrjen më të lartë si në kartelat e debitit dhe kreditit në vitin 2015 e kishin kartelat Visa ( 73.2 për qind përkatësisht 92.4 për qind), pasuar nga kartelat Master Card (21.5për qind përkatësisht 6.4 për qind)”, është thënë në raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Sipas BQK-së, sistemet e pagesave luajnë rol të rëndësishëm në sistemin financiar dhe ekonominë e një vendi, duke marrë parasysh që funksionimi efikas dhe i sigurt i tyre paraqet një faktor shumë të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e stabilitetit financiar të vendit.

“Në Kosovë funksionon një sistem i vetëm për pagesa ndërbankare, Sistemi Elektronik i Kliringut Ndërbankar (SEKN), operuar dhe mbikëqyrur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Sistemi Elektronik i Kliringut Ndërbankar është sistem hibrid i pagesave, përmes të cilit procesohen pagesat me vlera të vogla, me vlera të mëdha si dhe pagesa urgjente. Numri i transaksioneve të përpunuara nga SEKN në vitin 2015, arriti në 9.8 milionë (9.1 milionë në vitin 2014), duke shënuar rritje vjetore prej 8.7 për qind. Kurse, vlera e gjithsej transaksioneve në vitin 2015, arriti në 7.5 miliardë euro (6.8 miliardë në vitin 2014), që paraqet një rritje vjetore prej 9.4 për qind.

Mesatarja ditore e transaksioneve përmes SEKN arriti në 39.5 mijë të tilla, ndërsa vlera e tyre në 30.0 milionë euro. Në raport me numrin e transaksioneve, pagesat e rregullta masive vazhdojnë ta kenë pjesëmarrjen më të lartë prej 38.3 për qind në kuadër të instrumenteve të pagesave”, është thënë në raport. Këto pagesa janë kryesisht të realizuara për institucionet qeveritare. Më pas vijnë pagesat prioritare masive me një pjesëmarrje prej 35.2 për qind, që janë kryesisht të realizuara nga institucionet qeveritare (siç janë pagesat e pagave dhe pensioneve), dhe pagesat xhiro të cilat kanë një pjesëmarrje prej 13.7 për qind, dedikuar kryesisht pagesave të shërbimeve publike. Pagesat e letrave me vlerë, edhe pse kanë peshën më të vogël në numrin e gjithsej pagesave, janë pagesat të cilat kanë shënuar rritjen më të shpejtë në numër (976 në vitin 2015 nga 618 në vitin 2014).

“Në raport me vlerën e transaksioneve, pagesat e rregullta vazhdojnë të kryesojnë strukturën e pagesave (49.2 për qind në gjithsej vlerën e transaksioneve), po ashtu këto pagesa shënuan rritje vjetore në vlerë prej 10.4 për qind. Pagesat xhiro vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e dytë me pjesëmarrje prej 14.0 për qind në vitin 2015. Këto pagesa rritën pjesëmarrjen nga 13.9 për qind sa ishin në vitin 2014, kryesisht si rezultat i rritjes prej 10.4 për qind në vlerë (1.05 miliardë euro në vitin 2015 nga 949.3 milionë euro në vitin 2014). Pagesat e rregullta masive u karakterizuan me rritjen më të theksuar në vlerë gjatë kësaj periudhe, gjë që u reflektua edhe në rritjen e pjesëmarrjes së tyre në strukturë të pagesave, raporton gazeta “Epoka e re”.

Pagesat prioritare masive rritën pjesëmarrjen në 9.5 për qind nga 9.4 për qind në vitin 2014 dhe arritën vlerën në 707.5 milionë euro (645.3 milionë euro në vitin 2014). Pagesat e letrave me vlerë përmes SEKN gjatë kësaj periudhe shënuan rritje më të ngadalësuar prej 4.0 për qind (723.0 milionë euro në vitin 2015 nga 695.4 milionë euro në vitin 2014) që rezultoi me rënie të pjesëmarrjes së tyre në strukturë për 0.5 pikë përqindje”, është thënë në raport.

Ko rënie e pjesëmarrjes në gjithsej vlerën e transaksioneve përmes SEKN mund të jetë ndikuar nga ngadalësimi i rritjes së letrave me vlerë në sektorin bankar krahasuar me rritjen e theksuar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar prej 30.2 për qind.