Mbretëria e Bashkuar në gatishmëri për sulme terroriste

Komisioneri i Policisë Metropolitane të Londrës paralajmëroi se rreziku i sulmeve terroriste në Mbretërinë e Bashkuar nuk është më “nëse”, por me “kur”.

Në kuadër të sulmeve të fundit terroriste, komisioneri i policisë Sir Bernard Hogan-Howe tha se kërcënimi nga terrorizmi është shumë i vërtetë dhe druhet se Britrania do të jetë viktima e radhës.

Pavarësisht se gatishmëria në Britani është e lartë që prej vitit 2014, shefi i policisë mendon se kultura dhe mënyra britanike e jetesës kanë qenë shumë të rëndësishme në parandalimin e sulmeve terroriste si ato në Francë, Belgjikë apo Gjermani.

Sipas Hogan-Howe, raporti shumë i ngushtë që policia britanike ka me shërbimet e inteligjencës “Mi5” dhe “Mi6” i ka dhënë një avantazh të madh Britanisë në ndalimin e komploteve. Ai shtoi se, edhe ligjet tejet të ashpra ndaj armëve kanë bërë punën e tyre. Më tej, ai deklaroi se Mbretëria e Bashkuar ka një klimë sociale tolerance dhe pranimi dhe është e bashkuar për të mposhtur terrorizmin.

“Ne nuk stigmatizojmë milionat e myslimanëve britanikë, vlerat dhe besimi i të cilëve refuzon totalisht terrorizmin”, deklaroi shefi i policisë. Sipas tij, në përpjekje për të ndaluar sulmet si ato në Paris, numri i agjentëve me armë në vend është rritur nga 600 në 2.800.

Por militantët xhihadistë duket se nuk ndalen me paralajmërimet e tyre. Këtë herë është radha e Rusisë, e cila ka rënë prè e një kërcënimi të drejtpërdrejtë nga ata, në një video të publikuar së fundmi./ Top Channel