Prishtina pa autobusë urban natën [video]

Pas orës 20, në rrugët e kryeqytetit vështirë se mund të shihen autobusë urbanë, qoftë nga ndërmarrja Trafiku Urban, apo edhe operatorë të tjerë privat.

Këtu përjashtim bën një operator privat që mbulon linjën për Hajvali, e i cili operon deri në orën 23:30.

Por, me këtë përjashtim, ky shërbim u mungon qytetarëve të Prishtinës për shumë kohë.

Në këto rrethana, zgjedhja e preferuar e qytetarëve, mbeten taksitë dhe kombi-busët ilegalë.

Ata që zgjedhin transportin ilegal, hezitojnë të flasin para kamerës.

Ndërsa, taksistët ilegalë, të cilët nuk preferojnë të flasin para kamerës për shkak të frikës nga inspektorët komunalë, thonë se janë bërë nevojë, sepse po të mos ishin ata, qytetarët do të mbeteshin rrugëve.

Ndërkohë, në ndërmarrjen Trafiku Urban, e cila operon në linjat 3 dhe 4, thonë se nuk mund t’ua ofrojnë këtë shërbim qytetarëve, për shkak të gjendjes jo të mirë financiare.

“Ne startojmë prej orës 6 në mëngjes, në 6:10 fillojnë linja 3 dhe 4, ndërsa përfundon në ora 8:10 minuta. Për shkak të nevojës së qytetarëve dhe për shkak të mundësisë që kemi pastaj deri në orën 9:50 d.m.th. 21:50, e kemi të reduktuar orarin, d.m.th. prej orës 8 deri në ora 10 kemi çdo gjysmë ore autobus. D.m.th. për shkak që nuk kemi udhëtarë në atë interval dhe pikërisht për këtë e kemi reduktuar. D.m.th. këtu përfundon, meqenëse nuk kemi nevojë të krijojmë humbje. Ne kemi dëshirë t’i kemi (autobusët) edhe gjatë natës, mirëpo në çdo moment rrezikohemi prej humbjeve të mëdha që i krijojmë. Ne jemi detyruar si staf të jemi në faza të rentabilitetit dhe kjo periudhë është shumë rentabile”, ka thënë për “038” të KTV-së, Halil Mustafa, Kryeshef Ekzekutiv, NPK “Trafiku Urban”.

Mustafa, i cili e mban këtë post tash e dy vjet, thotë se përkundër faktit se për herë të parë që nga paslufta, kjo ndërmarrje ka dalë me bilanc pozitiv financiar vjetor, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët duhet të krijohet një sistem i ri i punës, ku Trafiku Urban do të merrte kontrollin e plotë të transportit publik në kryeqytet.

Ndërsa shton se nëse komuna u jep urdhër që punojnë deri në mesnatë, ata do ta bëjnë një gjë të tillë, me kusht që komuna si pronare e ndërmarrjes t’i mbulojë humbjet që shkaktohen gjatë asaj kohe.

Njëjtë si Mustafa, edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, thotë se aktualisht, është pothuajse e pamundur që të ofrohet një shërbim i tillë, për shkak të financave, përderisa zgjidhjen e sheh tek 51 autobusët e rinj

“Me gjendjen aktuale, e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem derisa të vijnë autobusët e rinj është që ne si komunë të subvencionojmë Trafikun Urban me mjete shtesë për këtë periudhë kohore, gjë që kërkon aprovimin e Kuvendit Komunal, po ju e dini shumë mirë që, Kuvendi Komunal si po funksionon tek po funksionon, kështu që t’ju them të drejtën për ne në këtë aspekt është shumë më e rëndësishme që të sigurojmë ardhjen e 51 autobusëve, në mënyrë që të sigurojmë qëndrueshmëri të shërbimit, dhe jo injektime at-hok financiare të cilat nuk po e përmirësojnë shërbimin, por thjesht po e menaxhojnë një situatë, e cila është e përkohshme”, ka thënë Dardan Sejdiu, Nënkryetar, Komuna e Prishtinës.

E përderisa taksitë dhe kombi-busët ilegalë i konsideron si sfidë, e pranon se mungesa e ofrimit të shërbimeve nga komuna, po u krijon atyre hapësirë.

“Taksitë ilegalë punojnë edhe para orës tetë, çdo ditë, në çdo kohë, në çdo vend, dhe mosfunksionimi pas orës tetë, jo që i ka legjitimuar, por ka krijuar një hapësirë për operatorë të tillë. Mospasja e një shërbimi cilësor në atë periudhë normalisht, që krijon hapësira të tilla dhe kjo nuk është shmangie e përgjegjësisë, thjesht është konstatim i situatës”, ka thënë Sejdiu.

Ndërkohë, thotë se me ardhjen e 51 autobusëve, do të hapen linja të reja dhe krijohen vende të reja puna, e rrjedhimisht do të eliminohen taksitë ilegalë.

Të dy, Sejdiu e Mustafa, thonë se në sistemin e ri që do të krijohet pas blerjes së autobusëve, do të ketë vende pune edhe për taksitë ilegalë, të cilët mund të integrohen brenda Trafikut Urban.

E nëse jo më gjatë, së paku deri në ardhjen e autobusëve të rinj, transporti pas orës tetë në mbrëmje do të mbetet problem për qytetarët.