Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione në bujqësi, zbret kamatat e kredive bujqësore

Banka Qendrore e Kosovës në raportin e saj vjetor për 2015 ka konstatuar se është rritur në masë të madhe numri i kredive që jepen për bujqësi e po ashtu kanë shënuar rënie normat e interesit për kreditë bujqësore.

Dhe për këtë thuhet se ka ndikuar rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për fermerët nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Normën e dytë më të lartë të rritjes prej 20.3 për qind e regjistroi kreditimi i sektorit të bujqësisë që paraqet një përmirësim të theksuar krahasuar me rritjen prej 8.7 për qind të shënuar në vitin 2014. Përmirësimi mund të jetë ndikuar nga dyfishimi i buxhetit të qeverisë për vitin 2015 për programin e subvencioneve dhe granteve në këtë sektor, gjë që u reflektua edhe në rritjen e numrit të bizneseve të reja të regjistruara në këtë sektor.

Deri në vitin 2015, janë raportuar rreth 40 për qind më shumë biznese të reja në sektorin e bujqësisë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Njëkohësisht, edhe norma e interesit në kreditë e reja ndaj sektorit të bujqësisë në vitin 2015 shënoi rënien më të theksuar prej 4.3 pikë përqindje krahasuar me sektorët tjerë.

Si rrjedhojë e zvogëlimit të theksuar, në vitin 2015, norma e interesit në kreditë për ndërmarrjet bujqësore ishte më e ulëta nga të gjithë sektorët e tjerë për dallim nga vitet paraprake kur normat e interesit për ndërmarrjet bujqësore ishin më të lartat”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.